Bota

Scholz takon Putin: Siguria mund të arrihet vetëm me Rusinë, jo kundër Rusisë/ Presidenti rus: ne nuk duam luftë

Kancelari gjerman Olaf Shulz duke folur nga Moska për krizën në Ukrainë deklaroi se NATO dhe Europa janë të bashkuara dhe mendojnë që një zgjidhje mund të gjendet dhe nuk ka rëndësi sesa e vështirë do të jetë kjo. Duke folur në një konferencë për shtyp pas takimit në Kremlin me presidentin rus Vladimir Putin, Shulz tha se të gjithë ne duhet të tregohemi të matur dhe të përgjegjshëm në veprimet tona dhe se integriteti territorial është i panegociueshëm. Siguria sipas kancelarit gjerman mund të arrihet vetëm me Rusinë, jo kundër Rusisë. Lufta tha ai është bërë e paimagjinueshme në Evropë dhe ne duhet të sigurohemi që ajo të mbetet e tillë.

Ndërkaq presidenti Putin tha se Rusia nuk dëshiron luftë dhe ka paraqitur propozime për të negociuar, por sipas tij nuk ka pasur asnjë përgjigje konstruktive ndaj propozimeve të Kremlinit. Gjithsesi ai u shpreh se ka ende çështje të paraqitura nga NATO dhe SHBA që mund të diskutohen.  Putin akuzoi Ukrainën për gjenocid në rajonin e Donbasit.

“Po dëgjojmë edhe nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Ai thotë se grumbullimi i trupave në kufirin me Ukrainën shihet si një kërcënim dhe është “i pakuptueshëm”. Sipas mendimit tonë ajo që po ndodh tani në Donbas është gjenocid”

Putin e konsideroi Gjermaninë si partner kyç të Rusisë. Gjatë ditës ministri i Mbrojtjes së Rusisë bëri të ditur se një pjesë e trupave të vendosura në kufirin me Ukrainën, po tërhiqeshin. Por NATO tha se ende nuk ka asnjë të dhënë se ka filluar deshkallëzimi i pranisë ruse në kufirin mes dy vendeve.