Kuvendi është mbledhur për herë të dytë ditën e sotme, por ajo që ka rënë në sy ishte mungesa e deputetëve të opozitës.
Sakaq, kjo nuk ka penguar kryeparlamentarin Niko Peleshi dhe deputetët socialistë të mazhorancës për të votuar projektvendimin për emërimin e drejtuesve të komisioneve parlamentare dhe konstituimin e përbërjes së këtyre të fundit, të cilat në këtë legjislaturë kanë një tjetër strukturë.
LEXO EDHE: Grupi Parlamentar i PD miraton emrat e 7 nënkryetarëve të Komisioneve që do të drejtojë opozita…
E gjithë seanca zgjati vetëm rreth 4 minuta dhe me miratimin e projektvendimit me 77 vota pro dhe 1 kundër, kryeparlamentari Peleshi e cilësoi seancën të mbyllur.
E vetmja vota kundër ndaj projektvendimit ishte ajo e deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.
Më herët ditën e sotme, në seancën e parë të mbajtur në Parlament, opozita bojkotoi edhe votimin e ndryshimeve në Rregullore mbi komisionet Parlamentare.
Kreu i PD Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të PD kanë akuzuar mazhorancën se po shkel Kushtetutën përmes këtij veprimi dhe e kanë kundërshtuar në retorikën e tyre.
Partia e Lirisë ka krijuar grupin e saj parlamentar, teksa shihet që tre deputetë të PD-së kanë kaluar te PL, në mënyrë që ky grup të formohet.
Kryetar i këtij grupi është zgjedhur Tedi Blushi, ndërsa nënkryetar Edmond Haxhinasto. Sekretare është zgjedhur Bruna Haxhiu, ndërsa zëdhënëse e grupit Erisa Xhixho.
Anëtarët e tjerë janë Ledina Alolli, Ina Zhupa dhe Klodiana Çapja.