Politikë

Opozita braktisi seancën, Berisha: Fillim dramatik!

Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlametar në selinë blu pasi opozita braktisi seancën në momentin e votimit të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, theksoi se ky ishte një fillim dramatik sipas tij nga “individë që janë përfaqësues të karteleve të drogës, korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve”.

Berisha u shpreh se ndryshimet që iu bënë komisioneve hetimore parlamentare përbëjnë një akt flagrant dhe se ngushtojnë hapësirat e komunikimit të opozitës në ndërkombëtarët.

“Pa diskutim Komisioni i Integrimit ishte komisioni në të cilën opozita do të paraqiste të gjithë qëndrimet e saj në interes të procesit të integrimit”, tha kryedemokrati.

Sali Berisha: Ndryshimet që iu bënë komisioneve përbëjnë një akt flagrant, ngushtojnë hapësirat e komunikimit të opozitës në ndërkombëtarët

Ishte një fillim dramatik dhe nuk mund të ishte ndryshe nga individë që janë përfaqësues të karteleve të drogës, korrupsionit dhe vjedhjes së shqiptarëve,

Të vendosësh një parlament dhe jetën e tij në shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rregullores është një akt madhor, i papërgjegjshëm, është një atentat i rëndë ndaj rendit kushtetues të vendit, kushtetutshmërisë dhe shtetit ligjor.

Është një dëshmi tjetër e zëvendësimit në këtë vend të shtetit ligjor me narkoshtetin.

Në këtë kontekst unë e dënoj me forcën më të madhe një akt të tillë, një fillim të tillë dhe ndryshe nuk mund të ishte nga ky grup njerëzish.

Imagjinoni ju se çfarë janë të aftë të bëjnë. U shkel Kushtetuta, u shkel rregullorja e parlamentit, institucionit më të rëndësishëm pas Kushtetutës në Shqipëri.

Është institucioni numër 1 kushtetues i vendit dhe rregullorja e tij është ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës.

U proceduar në mënyrë antikushtetuese dhe antirregullore.

Por edhe me ndryshimet që iu bënë komisioneve përbëjnë një akt flagrant të ngushtojnë hapësirat e komunikimit të opozitës në komunitetin ndërkombëtar.

Pa diskutim Komisioni i Integrimit ishte komisioni në të cilën opozita do të paraqiste të gjithë qëndrimet e saj në interes të procesit të integrimit.

Kreu i PD-së, gjithashtu u shpreh gjatë fjalës së tij, se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht apo standard të integrimit në BE, përveç pozicionit gjeostrategjik.

“Shqipëria nuk plotëson asnjë standard sepse në diktaturën autokratike të Edi Ramës, siç sanksionojnë dokumenta themelore ndërkombëtare, të partive të qendrës së djathtë, Edi Rama përdor institucionet për të shtypur pluralizmin”, u shpreh ai.

Berisha theksoi se BE e konsideron vendin tonë si portën e Europës drejt Ballkanit dhe kjo është një avantazh shumë i madh, duke shtuar “ne e mbështesin, por mbështesim një proces të bazuar në standarde dhe kritere”.

Sali Berisha: Tani të dashur miq, teza jonë e pandryshueshme është kjo; Shqipëria nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kusht, asnjë standard të integrimit në BE, përveç pozicionit gjeostrategjik.

Duhet ta kemi shumë të qartë, duhet ta deklarojmë në çdo rast dhe ta mbrojmë.

Nuk mund të bëhet fjalë për standarde në një vend ku 98% e të të gjithë të emëruarve dhe të zgjedhurve, e 220 mijë të emëruarve dhe të zgjedhurave janë të një partie. Janë pra identike si në Uzbekistan, Korenë e Veriut dhe Turkmenistan,

Ky është përqendrimi më i madh i pushtetit që mund të ekzistojë në një vend.

Në diktaturat autokratike ky përbën përqendrimin më maksimal të pushtetit në një dorë.

Kjo është e vërteta. Nuk mund të ketë, Shqipëria nuk plotëson asnjë standard sepse në diktaturën autokratike të Edi Ramës, siç sanksionojnë dokumenta themelore ndërkombëtare, të partive të qendrës së djathtë, Edi Rama përdor institucionet për të shtypur pluralizmin.

Nuk mund të ketë, nuk mund të plotësojë asnjë standard, një vend i cili zhvillon farsë elektorale.

Nuk mund të ketë asnjë standard një vend që është bërë epiqendër rajonale, europiane dhe botërore e trafikut të drogave të forta.

Ne duke mbështetur plotësisht procesin e integrimit, deklarojmë se, Shqipëria nuk plotëson asnjë standard në këtë proces gjer sot, përveç pozicionit gjeostrategjik të saj, të cilin kjo e ka patur që kur është formuar bota dhe kësaj here i shndërrohet në një mirësi sepse në të gjitha kohërat e ka bërë atë pre të të gjitha perandorive.

Kurse kësaj here është një mirësi për shqiptarët sepse BE e konsideron këtë vend si portën e Europës drejt Ballkanit dhe kjo është një avantazh shumë i madh.

Ne e mbështesin, por mbështesim një proces të bazuar në standarde dhe kritere.

Kjo është teza jonë, ky është qëndrimi ynë.