Adriatik Llalla procedohet penalisht dhe i sekuestrohen pasuritë e paluajtëshme në Durrës e Tiranë, që kapin vlerën e rreth 99 milionë lekëve. Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi procedimin ndaj ish-Kryeprokurorit, mbi bazën e akteve të Organit të Akuzës Durrës. Nga veprimet hetimore, u krijuan dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të Llallës përbëjnë produkt të veprës penale. Tre ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda, pranoi kërkesën e Prokurorisë lidhur me vendosjen e “sekuestros preventive” për një apartament me sipërfaqe 67.2 m² në Durrës dhe mbi 22 mijë metër katrorë tokë arë në Tiranë.