Kuvendi i Serbisë ka pranuar sot dorëheqjen e kryeministrit, Millosh Vuçeviç.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, e falënderoi Vuçeviqin për kryerjen e detyrës gjatë kohës që ishte në postin e kryeministrit, si dhe për sjelljen e tij të përgjegjshme dhe të guximshme, vlerwsoi ajo.
Vuçeviç dha dorëheqjen e tij të parevokueshme më 28 janar, pas tragjedisë në Novi Sad. Me dorëheqjen e kryeministrit, qeveria bëhet teknike dhe fillon afati 30-ditor për zgjedhjen e qeverisë së re.
Nëse brenda 30 ditëve nuk zgjidhet qeveria e re, do të mbahen zgjedhjet parlamentare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Ushtria e Serbisë dhe Njësia e Policisë Ushtarake “Kobrat” nuk kanë top zanor, për të cilin disa pretendojnë se është përdorur në protestën e së shtunës në Beograd.
Ndërkaq, kryeministri serb në largim, Millosh Vuçeviç, tha se ekzekutivi është i gatshëm të ftojë për hetime Byronë Federale amerikane të Hetimit (FBI) dhe Shërbimin Federal rus të Sigurisë (FSB).
“Jemi të gatshëm që menjëherë të ftojmë amerikanët dhe rusët”, tha Vuçeviç në një konferencë për media në Qeverinë serbe.
Presidenti Vuçiç paralajmëroi se brenda 48 orëve do të përfundojë hetimi për ata që, sipas tij, kanë shpërndarë gënjeshtra rreth kësaj çështjeje.
“Hetimi do të përfundojë plotësisht brenda 48 orëve dhe më pas të gjithë përgjegjësit për këto trillime dhe gënjeshtra do të dalin përpara drejtësisë”, tha Vuçiç përmes një video-mesazhi të publikuar në Instagram.
Ai pretendoi se topi zanor nuk ishte në rrugë, sepse, siç tha ai, “nuk mund të mos e shihni, nuk mund të mos e dëgjoni”. Edhe Vuçeviç tha se përdorimi i topave zanor është “histori e trilluar”, duke shtuar se nuk janë përdorur armë të tilla.