Muaji gusht nis me aksidente rrugore në vendin tonë. Në aksin Korçë-Ersekë, një mjet ku udhëtonin dy persona, humbi kontrollin dhe u përmbys anës rrugës. Drejtuesi dhe pasagjeri u nxorën nga shërbimet zjarrfikëse dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Policia po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Ky është i dyti aksident në pak orë.
Në Kurbin, dje tre persona u plagosën nga përplasja e dy makinave dhe u dërguan në spital. Fatmirësisht janë jashtë rreziku për jetën. Të lënduarit udhëtonin si pasagjerë në mjetin me drejtues një 27 vjeçar me banim në Gjermani. Për shoferin e automjetit tjetër, 70 vjeç e banues në Milot, Policia Rrugore nisi procedim penal.
Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. H., 70 vjeç, banues në Milot, pasi në Kurbin, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin P. B., 27 vjeç, banues në Gjermani. Nga aksidenti janë dëmtuar tre pasagjerët në automjetin me drejtues shtetasin P.B., të cilët po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Të rinjtë janë shoferët me rrezik më të lartë në rrugët e Shqipërisë. Shifrat e INSTAT-it tregojnë se për muajin qershor, 28 nga 107 aksidente në total i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç. Sjellja e drejtuesit të mjetit mbetet shkaku kryesor i aksidenteve. Në qershor raportohen 140 viktima (të plagosur dhe të vdekur) nga aksidentet automobilistike.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së hënë me 19.6%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve, gjatë ditës së martë, me 6.5%. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 22.4% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.
Gjatë periudhës janar-qershor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.