Aksident në aksin Shëngjin-Velipojë, me 4 të plagosur në fshatin Rrjoll. Në mëngjes, një shtetas nga Kosova humbi kontrollin e mjetit e pasi doli nga rruga, u përplas me një dyqan. Për pasojë, ai dhe tre të afërm që udhëtonin si pasagjerë mbetën të lënduar dhe u dërguan në spital, për fat të mirë jashtë rreziku për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 07:10, në aksin rrugor “Shëngjin-Velipojë”, në fshatin Rrjoll, shtetasi kosovar J. B., duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një dyqan.
Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi J.B., dhe tre pasagjerë (familjarë të tij), të cilët janë dërguar për mjekim, në spital, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i për muajin maj 2025, janë regjistruar 130 aksidente rrugore, duke e çuar numrin total për pesëmujorin Janar–Maj në 531, në mbarë vendin. Megjithëse ka një rritje të lehtë të aksidenteve krahasuar me prillin, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vërehet një ulje me mbi 14% si në numrin e aksidenteve, ashtu edhe në të aksidentuarve. 185 në maj, mes tyre drejtues mjetesh, pasagjerë dhe këmbësorë.
Mbi 90% e aksidenteve janë shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve, shpesh për shkak të shpejtësisë, mungesës së vëmendjes apo shkeljeve të sinjalistikës.
Mosha më problematike vazhdon të mbetet 25–44 vjeç, ndërsa për herë të parë, raporti gjinor tregon një rritje të përfshirjes së femrave si drejtues mjeti në aksidente, krahasuar me vitin e kaluar. Pamjet që shoqërojnë statistikat janë të zakonshme: rrugë të ngarkuara, semaforë të shpërfillur, si dhe shpejtësi të pakontrolluara në segmentet urbane e interurbane.
Në mesin e sezonit turistik dhe me fluksin e automjeteve, rreziku për aksidente rritet, ndaj po zbatohet forcim i kontrolleve rrugore, sidomos në zonat bregdetare dhe pikat hyrëse në qytete të mëdha. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për periudhën Janar–Maj 2025, në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 661 aksidente rrugore, me një ulje prej 14.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.