Film & Tv Music

Sezoni i ri në TAR fillon plot energji!

Shtatori po vjen dhe bashkë me të Top Albania Radio do të nisë sezonin e ri me shumë programe dhe risi. Pas një periudhe të nxehtë vere, i kemi marrë të gjitha energjitë që të sjellim te ju më të mirën, ashtu siç vetëm TAR di të bëjë…

Për t’ju informuar në kohë reale, gjithçka çfarë ndodh në vend, rajon dhe botë, spikerët dhe gazetarët e TAR, do të jenë për ju çdo 60 minuta duke filluar që nga 1 shtatori, nga ora 08:00 deri në 22:00.

Mëkati profesional na thërret në ndërgjegje që t’i themi disa të vërteta në realitetet e veta. Të vërteta që mund të jenë njëherësh tragjike, herë herë dramatike, por brenda fshehin edhe pjesën e tyre komike. Top Albania Radio sjell disa prej ngjarjeve që shënjojnë politikën, ekonominë, aktualitetin, artin dhe sportin në një këndvështrim me titull “Një ngjarje dy të vërteta” duke nisur nga data 6 shtator.

Për kinema-dashësit tanimë ju e dini programin dedikuar posaçërisht për ju! @ The Movies vjen  për t’ju informuar mbi filmat më të rinj, ngjarjet e fundit nga protagonistët tuaj të preferuar, recensionet e filmave, shoqëruar nga kolonat zanore të paharrueshme që zgjojnë kujtime rrënqethëse çdo të premte nga ora 14:00 – 15:00 duke nisur nga data 5 shtator.

Emisioni më i kërkuar nga të gjithë fanatikët e sportit. Glent Nallbani, Edi Manushi, Redi Jupi, Lorenc Jemini dhe Gëzim Sinemati mendojnë për të gjithë ju dashamirës të futbollit duke sjellë “Pasó”, emisionin që do t’ju ndjekë çdo të premte në orën 18 në frekuencën e radios tuaj të preferuar, vetëm në Top Albania Radio.

Kozeta Kurti, një nga “pioneret” e para të radiove private në Shqipëri, që në fund të viteve ‘90-të, kthehet në Top Albania Radio me “Back to the Beginning”. Ky format e nisi rrugëtimin edhe në 2020-ën, fiks në të njëjtën periudhë me pandeminë globale “Covid 19”-të, por me sa duket kjo është koha e duhur. Jo vetëm Kozeta, por edhe të ftuarit e saj do ta kthejnë kohën pas, si çantë shpine, në fillimet e tyre, midis qindra kujtimesh. “Për të kuptuar ku po shkon, kujto nga erdhe”.

Top Albania Radio rikthen botën e çuditshme në kohët më të çudtishme që po jeton planeti ynë, kur asgjë nuk është më e çuditshme. Botë e Çuditshme është një nga programet e hershme të Top Albania Radios, që i dedikohet gamës së madhe të kurioziteteve rreth jetës sonë, planetit ku jetojmë dhe jo vetëm, florës e faunës si dhe gjithçkaje që natyra dhe njerëzit kanë krijuar.

Bëhuni pjesë e Party-t më shpërthyese ku nuk keni nevojë për biletë, vjen aty ku jeni, “House Nation”. Mesdita e shndërrron Top Albania Radion në një klub të vërtetë ku e ftuar janë të gjithë që arrijnë radion në valët e saj tokësore, digjitale apo online. Me tendencat më elektronike, të reja të rrymave elektronike si edhe kryeveprat e DEFECTED dhe tracks-et që do të kthehen në kolonën zanore të diskotekave.

Hip Hop at it’s best. Top Albania Radio ka një traditë të transmetimit të Hip Hop-it që në fillimin e saj, atëhere kur kjo rrymë konsiderohej nga kritikët si denigrim i muzikës. Ky program sjell më të mirat e rrap-it të pa censuruara, dje dhe sot, duke zgjuar nostalgji dhe duke ju prezantuar hitet që do trondisin bokset e makinës tuaj, të miksuara nga Dj Keddos.

Përzgjedhur nga Dee Jay-it e Top Albania Radios, mbrëmja e të dielës është e gjitha për t’u shijiuar. Java mbyllet me muzikë të mirë dhe përzgjidhet nga DJ resident të Top Albania Radio. Çdo të Diel ndryshe sepse ata janë të ndryshëm, vijnë nga histori të ndryshme, formime të ndryshme dhe bëjnë Top Albania Radion atë që është radio shqipfolëse më gjithëpërfshirëse në planet.

Klasifikimi i vetëm i muzikës moderne shqiptare vjen i zgjeruar, tashmë 3 orë në Top Albania Radio. “The Top List” by Top Awards. Klasifikimi më i rëndësishëm i muzikës moderne shqiptare vjen këtë sezon prej orës 10 deri në 13, duke shtuar numrin e këngëvë që transmetohen dhe duke bërë në radio një panoramë më të qartë të lëvizjeve të javës. Kërshëria e të zbuluarit kush është në majë nuk do të mungojë asnjë të shtunë.

Kaloni 60 minuta me klasiket e muzikës House, nga SAIX. Në një kohë kur muzika elektronike është bërë mainstream, house i viteve 80 – 90 – 00 tingëllon si Evergreen. Një nga shtyllat e postproduksionit në Top Albania Radio, DJ dhe Producer – SAIX sjell çdo të shtunë një buqetë me hitet klasike te House, ato që ju kujtojnë kohët më pak të ndërlikuara dhe që frymëzojnë brezat për krijimtari origjinale në vend të ripaketimit.