Showbiz

Shakira rrëfen pasiguritë në SHBA: Jetoj në frikë çdo ditë

Këngëtarja e njohur Shakira, e cila aktualisht ndodhet në një turne muzikor në Shtetet e Bashkuara, ka ndarë përvojat e saj personale si emigrante nga Kolumbia në një intervistë për BBC. Ajo është zhvendosur në SHBA në moshë të re, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, dhe rrugëtimi i saj ka qenë i mbushur me sfida, pasiguri dhe sakrifica të mëdha.

Prej kohësh e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, vitin e kaluar Shakira ia dedikoi çmimin Grammy për Albumin më të Mirë Latin Pop komunitetit të emigrantëve, duke e cilësuar përvojën e tyre si një realitet që shpesh neglizhohet apo keqtrajtohet.

Përmes intervistës së saj, këngëtarja vuri në dukje se imigracioni në SHBA nuk është vetëm një çështje politike, por një çështje e dinjitetit njerëzor. Ajo ngriti shqetësimin se shumë njerëz jetojnë në frikë të përhershme për shkak të politikave të ashpra dhe ndryshimeve të shpeshta në qëndrimet ndaj emigrantëve, veçanërisht gjatë administratës Trump.

Shakira kujtoi fillimet e saj në Miami, ku u përball me vështirësi të mëdha, duke u përpjekur të mësonte gjuhën dhe të përshtatej me një jetë të re, ndërkohë që përpiqej të ndiqte ëndrrat e saj. Pavarësisht suksesit ndërkombëtar, ajo e ndjen ende ndikimin e klimës së vështirë politike dhe sociale ndaj emigrantëve në SHBA

Në fund të intervistës, këngëtarja u ndal edhe te roli i saj si nënë dhe lidhja e fortë emocionale me fëmijët, që e mbështesin dhe e motivojnë si në jetën personale ashtu edhe në skenë. Ajo e cilëson praninë e tyre si burimin më të madh të forcës në çdo sfidë që përballon.