Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një deklaratë për mediat thekson se Shtetet e Bashkuara nuk arritën të përfitojnë asgjë të rëndësishme përmes sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Ai kritikoi presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se ka dhënë një version “jashtëzakonisht të ekzagjeruar” të ngjarjeve që ndodhën.
“S’kishte rrugë tjetër veçse ta bënte,” thotë Khamenei, duke shtuar se kushdo që e dëgjon mund ta kuptojë se SHBA po i zmadhojnë qëllimisht ngjarjet për të shtrembëruar të vërtetën.
“Ne goditëm një nga bazat më të rëndësishme të SHBA-së në rajon, dhe ata u përpoqën ta minimizojnë këtë,” vijon ai.
Khamenei shton se populli iranian ka treguar unitet dhe ka dhënë një mesazh të qartë: “Populli ynë flet me një zë të vetëm.”
Sipas tij, Trump i bëri thirrje Iranit të dorëzohet, por Khamenei e cilëson këtë kërkesë si “tepër e madhe për gojën e presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
“Për një vend dhe një komb të madh si Irani, vetë përmendja e dorëzimit është një fyerje,” shton ai.
Më tej, udhëheqësi suprem thekson se Trump, pa dashje, zbuloi një të vërtetë, që SHBA-të kanë qenë kundër Republikës Islamike të Iranit që prej fillimit.
Sipas Khameneit, veprimet ushtarake amerikane nuk kanë të bëjnë me çështjen bërthamore apo pasurimin e uraniumit, por me përpjekjen për ta nënshtruar Iranin.
“Një ditë flasin për të drejtat e njeriut, një tjetër për të drejtat e grave, pastaj për programin bërthamor, më pas për raketat… Por në thelb, gjithçka ka të bëjë me një gjë: ata duan që Irani të dorëzohet,” përfundon ai.
Sa i përket Izraelit, udhëheqësi suprem deklaroi se vendi “u gjunjëzua dhe u shtyp nën goditjet e Republikës Islamike”.