Bota

Irani refuzoi bisedimet bërthamore, Amerika kërcënon!

Shtëpia e Bardhë e paralajmëroi përsëri Teheranin se do të përballet me “përgjigje ushtarake”, nëse nuk pranon arritjen e një marrëveshjeje për programin e tij bërthamor. Një ditë më parë, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për bisedime.

Ne shpresojmë që regjimi i Iranit zgjedh interesat e veta më të mira dhe popullin e vet, në vend të terrorit, tha sot zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes, duke përsëritur deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili u shpreh se “nëse detyrohemi të futemi ushtarakisht do të jetë e tmerrshme”.

Në një intervistë me Fox Business, Trump tha:

Ka dy mënyra për të trajtuar Iranin: ushtarakisht, ose duke bërë një marrëveshje për ta parandaluar Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore. Iu kam shkruar një letër atyre, ku thashë, shpresoj që do të negocioni sepse nëse duhet të veprojmë ushtarakisht do të jetë e tmerrshme.

Po të isha në vendin e tyre do të bisedoja për një marrëveshje. Nuk jam i sigurt se të gjithë pajtohen me mua, por ne mund ta arrijmë një marrëveshje që do të ishte po aq e mirë sa një fitore ushtarake. Por, koha po afron. Diçka do të ndodhë në një mënyrë ose tjetrën.

Pjesë nga intervista u transmetuan më 7 mars, por intervista e plotë pritet sot. Ndërkohë, pa përmendur drejtpërdrejt Trump-in apo Shtetet e Bashkuara, lideri suprem iranian Khamenei deklaroi dje se “bisedimet e tyre nuk synojnë zgjidhjen e problemeve”.

Ato bëhen për… le të flasim për të imponuar atë që duam mbi palën tjetër që është ulur përballë nesh. Këmbëngulja e disa qeverive ngacmuese për bisedime, nuk ka qëllim zgjidhjen e çështjeve… Bisedimet për ta, janë një rrugë për të paraqitur kërkesa të reja; nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen bërthamore të Iranit… Irani nuk do t’i përmbushë pritshmëritë e tyre.

Po dje, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi u shpreh se “Teherani ende nuk ka pranuar ndonjë letër nga Trump”.

Kemi dëgjuar për të [letrën e Trumpit], por nuk kemi marrë asgjë.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë përsëritur se nuk do ta lejojnë kurrë Teheranin të fusë në dorë armë bërthamore ndërsa Irani vazhdon ta pasurojë uraniumin në nivele pranë atyre të përdorura për prodhimin e këtyre armëve. Teherani këmbëngul se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore.