Bota

SHBA-Iran sot takohen për bisedime bërthamore mes frikës për konflikt ushtarak!

Zyrtarët amerikanë dhe iranianë sot pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh bërthamore në Gjenevë dhe që shihet si përpjekja e fundit për të shmangur një konflikt të madh ushtarak midis dy vendeve armike.

Raundi i tretë i bisedimeve pritet të ndodhë në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësitë për veprim ushtarak, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për ta frenuar programin bërthamor të Iranit.

SHBA-të kanë vendosur tashmë dy aeroplanmbajtëse pranë Republikës Islamike.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, u nis nga Teherani për në qytetin zviceran më 25 shkurt dhe pritet të zhvillojë bisedime me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, e dhëndrin e Trump-it, Jared Kushner.

Përfaqësuesit e Omanit do të veprojnë si ndërmjetës, siç kanë bërë edhe në raundet e mëparshme.

Palët zhvilluan bisedime indirekte në fillim të muajit në Oman, të parat që nga bombardimi i objekteve kryesore bërthamore të Iranit nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara gjatë një konflikti të shkurtër në qershor. Raundi i dytë i bisedimeve u mbajt në Gjenevë më 17 shkurt.

Në dy raundet e parë nuk u shënua përparim dhe pikat kyçe të mosmarrëveshjes mbeten të pazgjidhura.

Gjatë bisedimeve, Shtetet e Bashkuara kërkuan që Irani ta ndalojë plotësisht pasurimin e uraniumit e të heqë dorë nga rezervat e tij prej rreth 400 kilogramësh uranium të pasuruar, hapa që do ta pengonin Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.

Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe civile, si prodhimi i energjisë elektrike.

Irani ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të bëjë lëshime në këmbim të heqjes së sanksioneve amerikane dhe njohjes së të drejtës së tij për të pasuruar uranium.

Kelsey Davenport, drejtoreshë për Politikën e Mospërhapjes në Shoqatën për Kontrollin e Armëve me bazë në SHBA, tha se ende ka hapësirë për diplomaci, edhe pse “rreziqet e keqllogaritjes dhe rreziqet e rikthimit në konflikt janë jashtëzakonisht të larta”.

Unë mendoj se, pavarësisht të gjitha kërcënimeve, Trump dëshiron marrëveshje, i tha Davenport Radios Farda. Ai nuk dëshiron që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në një tjetër konflikt në rajon.

Mendoj se për të arritur lehtësimin e sanksioneve dhe për të parandaluar një rikthim të konfliktit edhe Irani do ta shihte si të vlefshme marrëveshjen.

Para bisedimeve të sotme, Araqchi u shpreh se palët ishin pranë një marrëveshjeje që do ta shmangte përballjen ushtarake.

Kemi një mundësi historike për të arritur marrëveshje të paparë e që adreson shqetësimet e ndërsjella dhe realizon interesat e përbashkëta, tha Araqchi në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se akordi është “i mundur, por vetëm nëse diplomacisë i jepet përparësi”.

Araqchi u zotua se në asnjë rrethanë, Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore, por këmbënguli në të drejtën e vendit për të “shfrytëzuar përfitimet e teknologjisë bërthamore paqësore”.