Shtetet e Bashkuara të Amerikës i thanë Kombeve të Bashkuara se kanë “informacione të besueshme” për planet që Rusia të shënjestrojë shtetas ukrainas për t’i vrarë apo dërguar në kampe, nëse vendos ta pushtojë Ukrainën. Përmes një letre dërguar Komisionerit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Bathsheba Nell Crocker, ambasadore e Uashingtonit në OKB, jep detaje të “informacioneve shqetësuese” që inteligjenca amerikane ka mbledhur.
Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut nga Rusia në pjesët tashmë të pushtuara të Ukrainës dhe kemi arsye të besojmë se këto shqetësime do të shumëfishohen në rast të një ofensive të re ushtarake.
Crocker shkruan edhe se “Kremlini po planifikon vrasjen, rrëmbimin, ndalimin dhe torturat ndaj të gjithë atyre që kundërshtojnë veprimet ruse në Ukrainë”. Sipas letrës, “në shënjestër do të jenë edhe disidentët rusë e bjellorusë që ndodhen në azil në Ukrainë, gazetarët e aktivistët e tjerë”.
Ne kemi informacione të besueshme që tregojnë se forcat ruse po krijojnë një listë të ukrainasve për t’i vrarë ose për t’i dërguar në kampe pas pushtimit ushtarak. Shtetet e Bashkuara kanë informacione se ushtria ruse do të përdorë metoda vdekjeprurëse për të shtypur protestat ose për të shtypur veprimet paqësore të rezistencës nga popullsia civile.
Në letrën amerikane nuk ka informacione se cilat janë burimet e këtyre informacioneve. Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët e tjerë perëndimorë akuzojnë Rusinë se po planifikon të pushtojë Ukrainën. Moska mohon se ka plane të tilla, pavarësisht se ka grumbulluar mbi 150 mijë trupa pranë kufijve ukrainas.
Me pajtimin në parim për një takim Biden-Putin, pezullohen planet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës. Zhvillimi i bisedimeve të ndërmjetësuara nga presidenti francez Macron u kushtëzua me tërheqjen ruse nga planet për të sulmuar ushtarakisht fqinjin. Nga kryeministri britanik, Boris Johnson, kjo javë është cilësuar “kyçe” për diplomacinë duke sugjeruar që sërish ka shpresë për të shmangur luftën. Shefi i qeverisë së Londrës e cilësoi “sinjal të mirëpritur” telefonatën e një dite më parë mes presidentit francez Macron e atij rus, Putin.