Aktualitet

SHBA-të propozojnë ushtarakun Eric Wendt si ambasador në Shqipëri!

Presidenti amerikan, Donald Trump, propozoi emërimin e ish-gjeneralit amerikan në NATO, Eric Wendt, si ambasador të ri të SHBA-ve në Shqipëri. Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të nominimeve dhe tërheqjeve të dërguara në Senat, Wendt u propozua për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.

Eric Wendt, nga Kalifornia, të emërohet Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Emërimi i tij pritet të shqyrtohet nga Senati amerikan, që duhet të japë miratimin përfundimtar.

Aktualisht, SHBA-të nuk kanë ambasador me mandat të plotë në Shqipëri.

Nancy VanHorn shërben si e ngarkuar me punë që nga viti 2024.

Kush është Wendt?

Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë. Ai është oficer në pension i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, me mbi 34 vjet shërbim.

Ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyçe në Lindjen e Mesme e në rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve.

Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare.