Ambasada amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar për “mbylljen e papritur e të pakoordinuar” të qendrave për punë sociale, të drejtuara nga Serbia, në pjesën veriore të Kosovës.
Këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe për marrëdhëniet tona dypalëshe, thuhet në një reagim të Ambasadës në X.
Të premten, autoritetet e Kosovës mbyllën katër objekte të Qendrës për Punë Sociale, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Kjo për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia e Kosovës njoftoi se kërkoi leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e qendrave për punë sociale pasi katër punonjës në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt, për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Këta zyrtarë të institucioneve paralele dhe ilegale dyshohet se i telefonuan qytetarët dhe i kërcënuan apo iu treguan si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës, të mos i mbyllë këto struktura dhe që për statusin e tyre të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt e referuar rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi më shumë vota ndërsa në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.
Lista Serbe reagoi ndaj kontrolleve të fundit duke pretenduar se Kurti po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç u shpreh se punonjësit e këtyre qendrave nuk do të mbeten pa paga, ashtu siç asnjë përfitues i ndihmave sociale nuk do të mbetet pa përfitimet që iu paguan shteti serb.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, etj. Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar vazhdon t’iu japë paga.
Më 18 shkurt, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.
Nathalie Loiseau, shefe e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, pati thënë më 11 shkurt se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes presionit ndaj votuesve serbë atje.