Rajoni

Shefi i NATO-s në Kosovë, rikonfirmim për praninë e forcave europiane atje!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot viziton Prishtinën, për të ofruar garanci se kontingjenti europian brenda misionit të aleancës në Kosovë, KFOR do të mbetet aty, pavarësisht ndonjë lëvizjeje të forcave ushtarake amerikane. I këtij mendimi është Ivan Vejvoda, studiues në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë.

Vizita e Mark Rutte-s në Kosovë, tani është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, administratën e re amerikane, vazhdimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe thashethemet e bazuara ose jo që Shtetet e Bashkuara janë duke rishqyrtuar pozicionin e tyre në NATO. Shto këtu edhe faktin që siç shprehen amerikanët, ende ka punë të pakryera në Ballkan, vuri në dukje Vejvoda në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të SHBA-ve në Europë ka nisur të qarkullojë prej deklaratave që ka bërë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth në muajin shkurt, kur tha se europianët “nuk mund të presin që prania ushtarake amerikane në kontinent të zgjasë përgjithmonë”, si dhe iu bëri thirrje europianëve t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë thirrje që europianët të paguajnë më shumë në këtë sektor, duke ngritur dilema nëse tani ata do të ishin në gjendje të mbronin SHBA-të, siç e kërkon Neni 5 i NATO-s.

SHBA-të kanë rreth 100 mijë trupa në Europë. 600 prej tyre janë të vendosura në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, që në total numëron afro 4 mijë e 600 pjesëtarë. Ditë më parë, Pentagoni i tha Radios Evropa e Lirë se “tani për tani, nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar” sa i përket pozicionimit të forcave të tyre.

As Vejvoda nuk beson se trupat amerikane mund të largohen nga Kosova, të paktën në 6 muajt e ardhshëm. Ai mendon se KFOR-i do të funksiononte në mënyrë të qëndrueshme edhe pa praninë amerikane.

Ditë më parë, vetë shefi i NATO-s, Rutte u shpreh se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.