Aktualitet

Sherri me vdekje pas aksidentit në Thumanë, policia jep detaje!

Policia e Krujës dha detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur pas mesnate në aksin Thumanë-Krujë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se u godit me sende të forta dhe për pasojë humbi jetën shtetasi Petrit Ndou, 57 vjeç.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar dhe shtetas që mund të ketë dijeni për ngjarjen, por për shkak të hetimit, nuk jepen të dhënat e tyre. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve hetimore, do të jepet informacion i plotë.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 00:40. Viktima dhe autori u përfshinë në një konflikt fizik pas një aksidenti me makinë. Për pasojë mbeti i vdekur Petrit Ndou, 57 vjeç, banues në Pukë. Viktima mori një plagë të rëndë në kokë, ndërsa në vendngjarje u gjet edhe një çekiç, që mund të jetë përdorur gjatë konfliktit.

Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar është një 28-vjeçar me iniciale A.V., banues në Mamurras. Paralelisht, blutë po mbledhin dëshmitë e dëshmitarëve okularë, si dhe po analizojnë provat materiale, për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes tragjike.