Tech Top Tech - News

Shkencëtarët zhvillojnë një material ngjitës që funksionon edhe nën ujë!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Nëse ke provuar ndonjëherë të ngjitësh diçka në ujë… dhe ajo bie brenda 2 sekondash si premtimet e Vitit të Ri — dëgjo këtë.
Shkencëtarët nga Hokkaido University kanë krijuar një “super ngjitës” të ri që punon NË UJË… dhe jo vetëm që punon, por mban peshë si kampion palestre. Bëhet fjalë për një material të quajtur hydrogel — një lloj xheli me ujë brenda, por me fuqi ngjitëse që duket sikur ka bërë kurs motivimi.
Sa i fortë është? Nëse e pret sa një pullë poste… mund të mbajë rreth 63 kilogramë. Pra praktikisht, një njeri i rritur mund të varet në mur… me ngjitës. Spider-Man është duke marrë shënime.
Kjo teknologji është frymëzuar nga natyra — nga organizma si bakteret dhe madje edhe viruset, që dinë të ngjiten në sipërfaqe të lagura pa asnjë problem. Shkencëtarët analizuan mbi 25,000 proteina dhe krijuan qindra versione derisa gjetën “recetën perfekte”. Po, AI dhe shkenca bashkë… dhe rezultati është një ngjitës që nuk dorëzohet as në det.
Madje në një test real, ky xhel u përdor për të mbyllur një çarje në një tub uji… menjëherë dhe disa herë radhazi. Pra, nëse të çahet tubi në shtëpi, teorikisht nuk ke nevojë për hidraulik… ke nevojë për shkencë të nivelit “Nature magazine”.
Pse ka rëndësi kjo? Sepse mund të përdoret në mjekësi, në thellesi te medha detare, në industri… kudo ku uji zakonisht prish punë.
Njerëzimi mezi ngjit një poster në mur pa i rënë… ndërkohë shkenca po ngjit gjëra në oqean. Nivele të ndryshme problemi.