Në 24 orët e fundit janë testuar 111 raste të dyshuar me Covid-19 në vendin tonë nga të cilët 23 kanë rezultuar pozitivë duke e çuar numrin e të infektuarve në 146.
Në total në Shqipëri janë testuar 1041 persona, raporton Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Harta e të prekurve është zgjeruar ditën e sotme edhe në qytetin e Krujës. Koronavirusi tashmë ka prekur Tiranën, Durrësin, Fierin, Korçën, Elbasanin, Lezhën, Rrogozhinën, Kavajën, Vlorën, Beratin dhe Hasin.
Në Spitalin Infektiv aktualisht janë të shtruar 72 persona, 4 prej të cilëve ndodhen në repartin e terapisë intensive dhe 3 prej tyre janë në gjendje kritike. Lajmi i mirë është se tashmë 17 persona janë shëruar nga Covid-19 por do të vazhdojnë vetëkarantinimin në shtëpitë e tyre.