Botë e Çuditshme

Shkuan për të blerë picë dhe u kthyen me një milion dollarë…

Një mbrëmje e zakonshme për të blerë një picë u kthye në një moment që ndryshoi jetën e Dennis dhe Annette Huber, një çift pensionistësh nga Missouri. Më 12 maj, ndërsa prisnin porosinë në një restorant, ata kuptuan se nuk kishin para të vogla për bakshish. Dennis vendosi të kalonte rrugën për të thyer paratë në një dyqan ushqimor, por në vend të kësaj, bleu një biletë gërvishtëse prej 20 dollarësh.

Ajo fitoi një milion dollarë. “Mendoj se kjo vlen një milion,”-i tha ai gruas kur u kthye, ende në shok. Fitorja u konfirmua zyrtarisht nga Loteria e Missouri më 15 maj. Dennis dhe Annette, të martuar prej mbi 40 vitesh, kanë jetuar një jetë modeste. “Nuk jemi njerëz që kërkojmë luks, është thjesht e pabesueshme,”-thanë ata. Ata nuk planifikojnë ndryshime të mëdha, por shpresojnë të blejnë një kamper dhe të udhëtojnë gjatë pensionit. 

Ndërkaq, një çift nga Michigan festuan përvjetorin e martesës duke u ulur së bashku për të gërvishtur një biletë lotarie dhe duke zbuluar se kishin fituar 2 milionë dollarë. Gruaja 44-vjeçare tha se “dita romantike” i filloi me blerjen e një bilete lotarie. “Bashkëshortit tim dhe mua na pëlqen të luajmë lotari”-tha ajo. Çifti fitues tha se po planifikojnë të blejnë një shtëpi, të bëjnë investime dhe të lënë mënjanë disa para për të paguar kolegjin e fëmijëve të tyre.

Rikujtojmë, se një banor i Karolinës së Veriut tha se një “impuls i çmendur” e çoi drejt fitores së një çmimi prej 1 milion dollarësh nga një biletë gërvishtëse lotarie. Banori i Whiteville, Kenneth Formyduval, i tha zyrtarëve të Lotarisë Arsimore të Karolinës së Veriut se të premten në mbrëmje, pasi përfundoi punën, ndjeu një dëshirë të pashpjegueshme për të blerë një biletë lotarie. “Thjesht më lindi një impuls i çuditshëm dhe vendosa të ble një biletë”-tha ai.