Botë e Çuditshme

Qytetari amerikan fiton çmimin prej 1 milion dollarësh në lotari!

Një banor i Karolinës së Veriut tha se një “impuls i çmendur” e çoi drejt fitores së një çmimi prej 1 milion dollarësh nga një biletë gërvishtëse lotarie. Banori i Whiteville, Kenneth Formyduval, i tha zyrtarëve të Lotarisë Arsimore të Karolinës së Veriut se të premten në mbrëmje, pasi përfundoi punën, ndjeu një dëshirë të pashpjegueshme për të blerë një biletë lotarie. “Thjesht më lindi një impuls i çuditshëm dhe vendosa të ble një biletë”-tha ai.

Formyduval zgjodhi një biletë prej 30 dollarësh MAX-A-MILLION nga marketi Minuteman Food Mart në South Madison Street në Whiteville. Ai tha se ishte një surprizë e këndshme kur zbuloi se kishte fituar çmimin e madh prej 1 milion dollarësh. “Ishte si një ëndërr që ndodh vetëm një herë në jetë”-u shpreh ai. Formyduval deklaroi se paratë do t’i përdorë për të shlyer borxhin për kamionin dhe ndoshta për të blerë një shtëpi.

Ndërkaq një turist që vizitoi Chicagon fitoi një çmim prej 3,188,104 dollarësh nga Lotaria e Illinoisit. Një vizitor, i njohur me nofkën “Thesari Udhëtues”, u tregoi zyrtarëve të Lotarisë së Illinoisit se kishte ardhur në Chicago për të vizituar atraksionet turistike më të njohura. “Kam qenë më parë në Chicago, por nuk pata mundësi të shëtisja në vendet turistike, ndaj kësaj here u sigurova të shikoja sa më shumë. Vizitova Skydeck në Willis Tower, kontrollova disa vendndodhje xhirimesh nga filmi Ferris Bueller’s Day Off, dhe sigurisht, nuk mund të largohesha pa parë The Bean”-tha ai.

Rikujtojmë se një grua nga Maryland, e cila fitoi një çmim lotarie prej 50 mijë dollarësh, tha se në fakt ka fituar çmime të mëdha edhe dy herë të tjera më parë dhe të gjitha kanë ndodhur në mesin e muajit prill. Gruaja nga Owings Mills i tha zyrtarëve të Lotarisë së Marylandit se ajo bleu biletën gërvishtëse “Money Bags” në Howard’s Pub & Deli në Qarkun Baltimore dhe u entuziazmua kur zbuloi se kishte fituar 50 mijë dollarë. “Blej shpesh bileta gërvishtëse dhe zakonisht më ecën mirë. Ndërsa po vinim këtu sot, po mendoja për dy fitoret e mia më të mëdha dhe kuptova që të dyja kanë ndodhur në prill! Tani edhe e treta. Është e pabesueshme”-tha ajo.