Brenda vitit, fermerët kanë të drejtë të aplikojnë për përfitimin e kompensimit të TVSH-së 10%, për produktet e shitura gjatë muajve janar-qershor 2026 te një përpunues apo grumbullues. Për produktet e shitura në gjysmën e dytë të vitit, pra për muajt korrik-dhjetor 2026, aplikimet për të përfituar kompensimin duhet të dorëzohen brenda 30 qershorit 2027.
Administrata tatimore pritet të hapë aplikimet së shpejti aplikimet, për marrjen e kërkesave të fermerëve që do të kërkojnë të kompensohen, të cilat fillimisht parashikohen të dërgohen nga fermerët në rrugë postare.
Më tej, faza e dytë pritet që procedura të kryhet online nëpërmjet e-Albania/s.
Kompensimi për TVSH-në 10% do të llogaritet mbi vlerën e faturës tatimore (autofaturë) që një grumbullues apo përpunues i certifikuar lëshon për fermerin si blerës i produkteve të tij. Skema për dhënien e kompensimit të fermerëve nëpërmjet TVSH 10% u miratua në ligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.
Megjithatë, drejtues të Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit ngrenë shqetësimin se në shumë raste nga grumbulluesit apo përpunuesit e qumështit në zona të Lushnjës apo Beratit nuk lëshohen autofatura për blerjen e qumështit prej fermerit.
Shumë grumbullues e përpunues të qumështit, nuk lëshojnë autofatura për blerjen e produktit nga fermeri, me qëllim që të mos shtojnë xhiron ose i lëshojnë me çmime që atyre iu duhet, me qëllim për të rregulluar bilancet.
Në këtë situatë, fermerët nuk pritet të kenë përfitime nga skema e kompensimit të TVSH-së, pohon Gentian Lalaj, drejtues i Shoqatës së Blegtorëve prodhues të Qumështit.
Shqetësimin për mosfunksionimin e skemës, Lalaj e ngriti edhe në nëntor, gjatë diskutimeve të Paketës Fiskale në komisionet parlamentare.
Më herët, Lalaj tha se rreth 70% e qumështit të shitur te përpunuesit bëhet pa autofaturë. Shitja e qumështit deri në 70% ndodh pa faturë, pasi autofatura është një abuzim ndaj fermerit që përpunuesi e pret, kur e ku i duhet, sa i duhet e me çmimin që i duhet, për të rregulluar bilancin e tij mujor apo vjetor apo për të qenë në rregull me veten.
Ai rekomandon se masa më efikase që do të ndihmonte blegtorët është dhënia e subvencioneve apo kompensimi direkt nga faturimi i fermerit, pa autofaturat e përpunuesve apo baxhove të përpunimit.
Por, nga ana tjetër përpunuesit pohojnë se zbatimi i skemës po nxit fermerët të pajisen me NIPT nga administrata tatimore.
Si do bëhet kompensimi i fermerëve përmes autofaturës
Për të përfituar kompensimin fermeri, ai që do të bëjë kërkesën duhet të dorëzojë edhe faturat e lëshuara nga blerësi, pra autofaturat në të cilat të jetë i shënuar edhe NIPT-i i fermerit, si dhe numrin e llogarisë së tij bankare.
Administrata tatimore ka sqaruar se kërkesa për kompensim do të paraqite brenda datës 31 dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar-qershor të vitit përkatës. Brenda datës 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik-dhjetor të vitit paraardhës.
Kërkesa do të dërgohet në rrugë postare ose në rrugë elektronike. Administrata tatimore kryen kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Ndërkohë, për përfituar kompensimin, së pari fermeri duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së. Qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH;
Efekti financiar në vitin e parë të zbatimit llogaritet rreth 1.5 miliardë lekë.
Si funksiononte skema e mëparshme e TVSH-së
Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së 20% për fermerin kalonte nëpërmjet përpunuesve, çka do të thotë se p.sh,. për çdo blerje me faturë tatimore nga fermeri, përpunuesi mund të kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme. Kjo skemë e bënte ekonomikisht të leverdishme blerjen edhe me çmim të lartë për fermerin dhe siguronte marzh të qëndrueshëm fitimi për industrinë.
Nga viti 2019 deri më 2022-shin, skema ndryshoi. Fillimisht, më 2019-ën, TVSH-ja në blerje (nga fermerët) u ul në 6%, ndërsa u hoq plotësisht më 2022-shin.
Në vend të rimbursimit të TVSH-së, qeveria aplikoi subvencione direkte deri në 10,000 lekë për krerë bagëtie/lopë për fermerët.
Në relacionin e draftit, Ministria e Financave theksonte se nga viti 2022 kur u vendos norma 0% e kompensimit për fermerët, ka pasur një rritje dyfish të fermerëve që përfitojnë nga subvencionet dhe rritje dyfish të shumës së dhënë subvencion.
Për vitin 2024 janë rreth 14 mijë fermerë që kanë marrë 2,64 miliardë lekë subvencione. Nga viti 2022 është përfshirë në masat mbështetëse, subvencionimi i naftës, nga e cila në vitin 2024 kanë përfituar rreth 31,500 fermerë në shumën prej 1,25 miliardë lekësh./ Monitor