Gossip Showbiz

Shpat Kasapi dhunohet “brutalisht” në një dasmë në Shkabaj?

Një përleshje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në një festë familjare në restorantin “Grand Events” në fshatin Shkabaj, në rrugën Prishtinë–Mitrovicë, ku këngëtari i njohur Shpat Kasapi dhe vëllai i tij janë dhunuar para dhjetëra të ftuarve.

Sipas dëshmive, incidenti shpërtheu pasi Kasapi, i ftuar për të performuar në dasmë, mbërriti me vonesë dhe, sipas raporteve, ishte në gjendje të dehur.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te dhëndri dhe disa nga të ftuarit, duke çuar fillimisht në një debat verbal, e më pas në një përleshje fizike.

Kasapi dhe vëllai i tij dyshohet se u sulmuan nga disa persona, përfshirë edhe vetë dhëndrin. Ata janë goditur me grushte e shkelma, duke pësuar lëndime, ndërsa skena është zhvilluar para syve të dhjetëra të pranishmëve.

Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar. Njëri prej tyre është dërguar në paraburgim, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.