Rajoni

Shpërthimi në Zubin Potok, Policia e Kosovës: Sulm i qëllimshëm!

Ndërsa ka rritur masat e sigurisë pas shpërthimit në kanalin e ujit “Ibër-Lepenci” në Varragë të Zubin Potokut dhe njofton se vazhdon të punojë për zbardhjen e rastit, Policia e Kosovës deklaron se nga hetimet paraprake, ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ishte qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individë apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Në një postim në Facebook, theksohet se ngjarja ndodhi dje rreth orës 19:00. Policia mori informacione se në Varragë të Zubin Potokut u sulmua dhe dëmtua infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci”.

Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin kanë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, atë të Emergjencave, Ujësjellësit, Ibër Lepencit dhe KEK-ut. Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.

Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.  Bashkërendimi i veprimeve në terren, është duke vazhduar nga institucionet e Kosovës, e po ashtu lidhur me rastin janë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë.

Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët.

Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës. Nëse qytetarët kanë ndonjë informacion apo dinë diçka, iu lutemi të lajmërojnë në stacionin më të afërt të Policisë ose në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected].