Një në tre gra të rritura në Bashkimin Evropian ka përjetuar sulm seksual ose fizik, sipas të dhënave alarmante të Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore.
Një pjesë e këtyre rasteve lidhet me përdorimin e drogës së përdhunimit, si Gamma-hidroksibutirati (GHB).
Pikërisht për të luftuar këtë fenomen, një ekip kimistësh nga Portugalia dhe Spanja, i udhëhequr nga profesori Carlos Lodeiro Espiño i Universidade NOVA de Lisboa, ka prezantuar një shpikje revolucionare: një byzylyk letre me sensor kimik që zbulon drogën brenda pak sekondash.
Në pamje të parë, duket si një aksesor feste, por në të vërtetë është një laborator miniaturë.
Mjafton të lagësh një pjesë të tij me një pikë pije dhe, nëse ngjyra kthehet në jeshile, ai ka zbuluar praninë e një substance të rrezikshme. Reagimi kimik zgjat vetëm disa sekonda dhe është i dukshëm me sy të lirë.
Ky byzylyk biodegradues, i cili mund të përdoret deri në pesë ditë, ka nisur të shpërndahet në disa klube dhe festivale në Spanjë e Portugali.
Shkencëtarët besojnë se, nëse projekti mbështetet nga autoritetet dhe organizatorët e eventeve, ai mund të bëhet një armë e fuqishme në parandalimin e sulmeve seksuale në mbarë Evropën.
Çmimi pritet të jetë 3 deri në 5 euro, ndërsa paketat me disa byzylykë mund të ulin koston ditore të mbrojtjes në më pak se 1 euro.
Përveç këtij shpikimi, në treg gjenden edhe teknologji të tjera parandaluese, si shirita testues për pije, ngjitëse që ndryshojnë ngjyrë dhe madje manikyr apo tatuazhe të përkohshme që reagojnë ndaj drogave të përdhunimit.
Studiuesit theksojnë se ky mjet nuk e zgjidh përfundimisht problemin e dhunës seksuale, por mund të shpëtojë jetë dhe të parandalojë trauma të rënda.