Mërgim Mavraj, ish-kapiteni i kuqezinjve iu kërkon lojtarëve të Kombëtares që sot të mendojnë vetëm për futboll dhe të mos ndikohen nga ngarkesa historike që ka ndeshja e mbrëmjes së sotme me Serbinë e që transmetohet live në Digitalb. Ndërkaq, ish-mbrojtësi nga Kosova shkruan:
Kosova është e jona përgjithmonë.
Takimi Shqipëri-Serbi nis të luhet në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare”. Dueli i Grupit K është i vlefshëm për Kualifikueset e Botërorit 2026. Siç ka mësuar gazetari i Top Channel, Endi Tufa, rreshtimi pritet të jetë 4-3-3, me Strakoshën në portë. Në mbrojtje Gjimshiti e Ajeti, të cilët do të mbulohen nga krahët nga Hysaj e Mitaj.
Në mesfushë është treshja e përhershme me Ramadanin, Asllanin dhe Laçin e në sulm pritet ndryshim “rrënjësor”.
Krahët mund të mbulohen nga Broja e Arbër Hoxha dhe maja e sulmit pritet t’i besohet Mirlind Dakut, duke lënë në stol treshen Bajrami-Asani-Manaj (ky i fundit ka shfaqur disa probleme shëndetësore në seancat e fundit stërvitore).
Gjithsesi, ashtu siç bëri të ditur trajneri brazilian Sylvinho, formacioni i tij titullar është gati e do ta publikojë sot, vetëm një orë përpara startit të ndeshjes Shqipëri-Serbi.

Nga sot ora 15:00 e deri në përfundim të sfidës, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me atë Bashkiake të Tiranës janë vendosur kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse në afërsi të stadiumit.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.
Gjithashtu, policia apelon që qytetarët të mos ngrejnë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje anti-dronë. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Tifozët duhet të paraqiten në hyrjen e stadiumit, në orën 18:00.