Aktualitet

Shqipëria gati të mbyllë 3 kapitujt e parë të negociatave, zbardhet axhenda e Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel!

Integrimi europian i Shqipërisë ka hyrë në një fazë të re, pasi vendi ynë pritet të mbyllë të martën në Bruksel negociatat e anëtarësimit për 3 kapitujt e parë.

Do të jetë kryeministri Edi Rama që do të kryesojë delegacionin zyrtar të Shqipërisë, në Konferencën e radhës Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, që do të zhvillohet të martën në 14 korrik në Bruksel.

Brukseli ka konfirmuar zhvillimin e konferencës, ndërkohë që është bërë publike edhe agjenda e Konferencës Ndërqeveritare, e cila pritet të nisë rreth orës 19:00, në Këshillin e BE-së në Bruksel.

Shefi i Qeverisë shqiptare, Edi Rama pritet të mbajë një fjalë përpara përfaqësuesve të vendeve anëtare, së bashku me ministrin e Jashtëm të Irlandës dhe komisioneren europiane Marta Kos.

Më pas do të negociohet dhe formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave, 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin shkencor, arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Europian.

Në përfundim të takimit është parashikuar një konferencë për shtyp rreth orës 20:00, ku do të flitet për ecurinë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

Tre kapitujt e parë që mbyllen për Shqipërinë përkojnë me presidencën e Irlandës në Këshillin e BE-së, e cila do të vijojë ta mbajë këtë rol deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se axhenda europiane e Shqipërisë është dakordësuar me institucionet e Bashkimit Europian. Përpara se të marrë pjesë në Bruksel, më 13 korrik, Rama do të jetë në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, ku do të marrë pjesë në një darkë pune me vullnetarët e Ukrainës. Mëngjesin e 14 korrikut, ai do të ndjekë edhe Paradën Ushtarake franceze.

Me mbylljen e 3 kapitujve të parë, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet e mbylljes edhe për 30 kapitujt e mbetur, në mënyrë që të arrijë objektivin e dakordësuar me BE-në për përfundimin e procesit teknik brenda vitit 2027-të.

Më pas vendimi do të jetë plotësisht politik dhe rruga e Shqipërisë drejt BE-së, do të duhe të kalojë nga parlamentet e 27 vendeve anëtare të Unionit.