Në qarkun Elbasan moti vijon me intervale reshjesh shiu, me intensitet të ulët. Herët në mëngjes u shënua edhe një aksident në autostradën Elbasan-Librazhd. Në fshatin Mirakë, një automjet tip Golf 5 u përplas me një furgon mallrash.
Ndërkaq, në aksin Elbasan-Qafë Thanë pati rënie inertesh në rrugë teksa në fshatin Hotolisht u rrëzua një pemë që doli në rrugë.
Gjithashtu, raportohet se prurjet e lumenjve e përrenjve janë në kuota mesatare, pa rrezik për dalje nga shtrati dhe përmbytje.
Sa i përket qarkut Kukës, moti vijon me reshje shiu të intensitetit mesatar. Në mbi 750 metra lartësi bie dëborë.
Nga shirat, akset kombëtare janë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave. Subjektet kontraktore po punojnë pa ndërprerje për pastrimin dhe mbajtjen e tyre hapur. Të gjitha rrugët kombëtare janë të qarkullueshme.
Nga bashkitë Kukës, Has e Tropojë nuk raportohet ndonjë problematikë emergjente. Furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë qarkun. Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Në qarkun Fier moti vijon me reshje të çrregullta shiu dhe intervale kthjellimesh, ndërsa temperaturat kanë rënë ndjeshëm. Situata hidrike po përmirësohet. Nga burime zyrtare raportohet:
Vjosa ka ulje të dukshme të nivelit e ujërat po tërhiqen edhe nga tokat bujqësore në Kashisht e Kafaraj. Lumi Shkumbin është në kuota normale, nuk paraqet probleme.
Semani ka filluar të ulet, ndonëse ende mban kuota të larta. Ka dalje uji nga shtrati, por gjithçka brenda argjinaturës.
Nuk kemi cënim të argjinaturave apo infrastrukturës kritike. Nuk kemi akse të bllokuara, nuk kemi fshatra apo lagje të izoluara, nuk kemi banesa nën ujë. Vetëm disa kasolle bagëtish dhe depozita bari pranë Semanit janë prekur, por brenda zonës së argjinaturës. Bagëtitë u larguan në kohë. Aktualisht, reshjet janë me intensitet të ulët dhe nuk kemi nevojë për mbështetje shtesë.
Në qarkun Shkodër, në Bogë-Theth bora vijoi pothuajse gjatë gjithë natës e aktualisht ka reshje me intensitet. Trashësia e dëborës kaloi 40 centimetrat, duke e bërë qarkullimin më të vështirë, në segmentet më problematike.
Ekipet e mirëmbajtjes rrugore ndodhen në terren me forca të shtuara, duke punuar vazhdimisht për të garantuar qarkullim të pandërprerë e për të mbajtur rrugën të hapur për automjetet. Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes të shtuar, si edhe me pajisje dimërore.
Në aksin Hani Hotit – Dogana Vermosh pati reshje dëbore gjatë natës në lartësinë mbi 1000 metra. Dy borëpastruese dolën në terren dhe nuk raportohet për probleme në qarkullim.
Lezha nën ndikimin e reshjeve të shiut. Ja si paraqitet sot situata në këtë qark:
Bashkia Kurbin
Sot do të vazhdojë puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë. Kjo në varësi të kohës e prurjeve të lumit, si dhe grupet e punës do të vazhdojnë me vlerësimin e dëmeve. Nga OSHEE-ja do të vijojë puna për riparimin e linjës së fshatit Skuraj.
Bashkia Lezhë
Sot do të vijojë puna për përforcimin dhe ngritjen në lartësi të argjinaturës së dëmtuar me mjetet e DRUK, bashkisë, FA dhe operatorëve privatë. Dje janë ndarë 100 dëngje bari të siguruara nga bashkia. Do vazhdojë puna për vlerësimin e dëmeve, si dhe shpërndarja e ndihmave, të cilat pritet të vijnë nga RMSH, (rreth 300 pako).
Niveli i ujit ka rënë me 10 cm, teksa pasi është mbyllur çarja e argjinaturës, është vënë në punë hidrovori i Tales. Vijon puna e ekipit të emergjencave për largimin e ujit në bodrume/parkingjet e pallateve në Shëngjin e Lezhë.
Nga OSHEE-ja, raportohet se në orët e mëngjesit ka shfaqur defekt fideri 7, që furnizon Hidrovorin Grykë Zezë dhe lagjen Nënë Tereza të qytetit, grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për riparimin e tij.
Bashkia Mirditë
Do të mbahen në monitorim dy banesat që rrezikohen nga rrëshqitja e tokës ndërsa mjetet bashkiake duke parë reshjet e shiut do të ndërhyjnë ku është më emergjente. Furnizimi me ujë ka vazhduar rregullisht, kurse me energji elektike ka patur ndërprerje, por u rikthye. Hidrovorët punojnë të gjithë me kapacitet të plotë.
Niveli i lumit Drin pësoi rritje, ndonëse është brenda kuotave jo problematike. Po kështu i lumit Mat, pavarësisht shkarkimeve nga H/C Shkopet e Qafë Mollë.