Vijojnë problematikat në disa zona të vendit si pasojë e motit të keq. Prej dy ditësh është shembur argjinatura e lagunës së Vainit në zonën e Tales, Lezhë. Sot uji ka vërshuar në fshatrat Mylte, Barbullojë si dhe në fushën e Treshit dhe të Spitenit. Disa banesa janë përmbytur, ndërsa shumë të tjera janë rrethuar nga uji. Lëvizja e banorëve në Rrilë kryhet vetëm me varka. Banorët kërkojnë ndihmë të menjëhershme, veçanërisht ushqim për bagëtitë.
Situata paraqitet e rënduar edhe në Çukë të Sarandës, ku argjinatura e lumit Bistrica është çarë gjatë natës. Uji ka vërshuar në fushat përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Raportohet për 5 banesa të përmbytyra në Çukë, ndërsa banorët kërkojnë ndihmë për ushqime e veshje.
Gjatë natës janë përmbytur dhjetëra banesa në Korçë, Pogradec, Devoll e Maliq. Prej 12 orësh, 76-vjeçarja Flora Hoxha, e sëmurë, ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer. Ka dyshime se mund të jetë mbytur në përroin e fshatit Proger në Devoll. Mesditen e kësaj të premteje ushtria dhe emergjencat nisen kërkimet. Situata është kritike dhe në Rrëmenj aty ku banorët u zunë në kurth nga uji dhe lanë shtëpitë në mesnatë me fëmijë në krah.
Në Baçallëk, uji ka hyrë në disa banesa dhe toka bujqësore si pasojë e bllokimit të kanaleve. Në Gështenjas prurjet e përroit kanë përmbytur magazina, stalla dhe një park bletësh duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në Buçimas dhjetëra dynymë tokë ndodhen nën ujë për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Lumi i Vërdovës ka marrë përpara ura dhe ka hyrë në disa banesa, duke bërë dëme të shumta.
Në Fier ka prezencë uji në 21 banesa, ndërsa dhjetëra dynymë tokë me ullinj u dëmtuan, për shkak të vërshimit të Vjosës. Në Vlorë u evakuuan 14 familje në Novoselë dhe Fitore. Janë përmbytur toka bujqësore dhe thertorja në Novoselë me rreth 70 cm ujë në ambientet e brendshme.
Në Dropull u dëmtua rëndë ura e Glinës, duke izoluar 5 fshatra, ndërsa kolonat mbajtëse të urës janë goditur nga prurjet e lumit Drino.
Në Berat u përmbyt pedonalja me dhjetëra biznese, pasi Osumi doli nga shtrati, ndërsa në fshatrat e Dimalit, Kuçovës dhe Velabishtit ka presence uji ne disa banesa.