Aktualitet

Shqiptarët perceptojnë pabarazi ekonomike shumë më të lartë se në treguesit zyrtarë!

Nga këndvështrimi i qytetarëve, pabarazia ekonomike në Rajon dhe në Shqipëri është më e lartë se matjet zyrtare, siç evidentoi Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik të pranverës për Ballkanin.

Shqipëri, koeficienti GINI që mat treguesin e pabarazisë është 36.0 (0 kupton barazi totale, ku të gjithë kanë të njëjtat të ardhura, deri në 100 pabarazi maksimale, ku një person i vetëm zotëron gjithçka), por 82.2% e qytetarëve perceptojnë pabarazi të lartë, që po vjen në rritje.

Në Kosovë, koeficienti GINI është 29.0, ndërsa 54.8% e popullsisë percepton pabarazi të lartë.

Në Malin e Zi, matja objektive është 34.4, por perceptimi i pabarazisë arrin 49.6%. Në Maqedoninë e Veriut, matja është 33.6, ndërsa perceptimi arrin 82.9%. Në Serbi, indeksi GINI është 33.1 dhe 67% e popullsisë ndjejnë se pabarazia është rritur. Në Bosnjë-Hercegovinë, indeksi GINI është 28.8, ndërsa perceptimi 64.4%.

Banka sheh me shqetësim faktin se perceptimi i pabarazisë, jo vetëm që mbetet i lartë, por besohet se po përkeqësohet. Rreth dy të tretat e popullsisë në Rajon mendojnë se hendeku mes të pasurve e të varfërve është rritur gjatë katër viteve të fundit. Në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, mbi 80% e të anketuarve ndajnë këtë bindje.

Pasiguria në rritje në tregun e punës, përhapja e formave joligjore të punësimit, polarizimi i tregut të punës e pabarazitë mes brezave, ku të rinjtë përballen me sfida më të mëdha, po ndikojnë në rritjen e pabarazisë. Me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, një përqindje relativisht e lartë e të anketuarve në vendet rajonit janë të gatshëm të kontribuojnë financiarisht për ngushtimin e këtij hendeku.

Pabarazitë ekonomike perceptohen në rritje në vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6), edhe pse nivelet e varfërisë janë në rënie. Ka një perceptim të përhapur mes qytetarëve se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është shumë i madh dhe duhet të zvogëlohet.

Perceptimi i qytetarëve në Ballkanin Perëndimor për pabarazinë bie në kontrast me koeficientin GINI, i cili është përgjithësisht 40, nivel që sipas Bankës Botërore, nuk klasifikohet si pabarazi e lartë referuar standardeve ndërkombëtare.

Vendet e rajonit dhe sidomos Shqipëria dominohen nga stabiliteti ekonomik, me rritje të qëndrueshme, ulje të deficiteve fiskale, borxhit publik, etj. Por, nga ana tjetër, zhvillimet në ekonominë reale tregojnë shpërndarje jo të barabartë të rritjes ekonomike.

Teksa ekonomia rritet, numri i personave që vuan nga një formë e varfërisë relative e përjashtimit social në Shqipëri përfshin gati gjysmën e popullsisë./Monitor