Aktualitet

“Shtëpia e re e fëmijëve” dhe “Kompleksi i Inspektorateve”, Rama: Iu japim rrugë dy drejtimeve të reja!

Në prezantimin e projekt-ideve në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e re të fëmijëve” dhe “Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve për partneritet publik-privat në realizimin e hapësirave të reja për funksione publike.

Rama tha se përmes këtij procesi, Shqipëria po zhvillon një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore dhe arkitekturore.  Ndërkaq, vuri në dukje se falë këtij projekti, hapen dy drejtime të reja për të ardhmen, krijimi i kushteve tërësisht të reja për fëmijët në nevojë dhe jetimët, si dhe për korpusin e ri të inspektorateve.

Shqipëria po funksionon si një “universitet i hapur” për arkitektët e rinj dhe studiot e reja, të cilët përmes bashkëpunimit me studio të mëdha ndërkombëtare kanë mundësi të fitojnë njohuri dhe eksperienca që nuk ofrohen në universitetet ose praktikat e zakonshme.

Qëllimi i këtyre projekteve është krijimi i hapësirave moderne, funksionale dhe dinjitoze për shërbime publike dhe komunitetin, duke rritur standardet e infrastrukturës në vend.

Sot në këtë projekt ne i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët; njëkohësisht dhe për korpusin e ri të inspektorateve.

Shqipëria është një universitet i hapur që i jep mundësi të gjithë arkitektëve të rinj, studiove të reja që përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me studio të mëdha, të marrin dije e të përfitojnë eksperienca që s’ka asnjë universitet apo praktikë pune që një studio e huaj të jep.