Rezervisti i ushtrisë amerikane që hapi zjarr në një sallë bowling-u dhe në një kafene në Lewiston në Maine, duke vrarë 18 persona, u gjet i vdekur nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri. Në këtë mënyrë iu dha fund kërkimit dy-ditor nga ana e autoriteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Robert Card, instruktor i armëve të zjarrit, u gjet i pajetë në afërsi të asaj që njihet si Ujëvara Lisbon. Lajmin e konfirmoi guvernatorja Janet Mills, gjatë një konference për shtyp. Mills theksoi:
Ashtu si shumë persona të tjerë, unë sot po marr frymë lirisht duke e ditur se Robert Card nuk paraqet më asnjë kërcënim për askënd.
Shefi i Departamentit për Sigurinë e Publikut në Policinë e Maine-it, Mike Sauschuck konfirmoi se Card u gjet në orën 19:45, sipas asaj lokale, në lumin Androscogin, rreth 13 kilometra në juglindje nga vendi ku ndodhën të shtënat e dyta, mbrëmjen e së mërkurës.
Guvernatorja Mills bëri të ditur se ka telefonuar presidentin Joe Biden duke e informuar personalisht për lajmin që Card u gjet i vdekur.
Këto ishin të shtënat më vdekjeprurëse në historinë e Maine-it ku jetojnë 1.3 milion banorë. Në Lewiston, 37 mijë vendas e komunitetet në zonat përreth u udhëzuan që të qëndronin brenda shtëpive të tyre, në kohën kur forcat e rendit po kërkonin për të dyshuarin, i cili ishte në arrati.
40-vjeçari Card ka qenë rezervist në ushtrinë amerikane. U raportua se vitin e kaluar, ai i qe nënshtruar një vlerësimi të shëndetit mendor, pasi po sillej çuditshëm gjatë trajnimeve, siç thanë zyrtarët amerikanë për Associated Press.
Pas sulmit u deklarua edhe se Card ka qenë i shtruar për dy javë në një spital për persona me probleme të shëndetit mendor, për shkak se ai “dëgjonte zëra” dhe kishte kërcënuar se do të qëllonte me armë zjarri në një bazë ushtarake. Të shtënat në Lewiston përbëjnë rastin e 36-të të vrasjeve masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej fillimit të këtij viti.