Bota

Shuhet në moshën 71-vjeçare aktori i njohur William Hurt!

Së fundmi, është bërë e ditur se ka ndëruarr jetë në moshën 71-vjeçare aktori i mirënjohur William Hurt. Aktori, i cili ka spikatur për interpretimin në filmin “Kiss of the Spider Woman” dhe punën e tij në “Broadcast News”, “A History of Violence” dhe “Children of a Lesser God”, ndërroi jetë i qetë pranë familjes, nga shkaqe natyrore. I biri i tij tha në një njoftim se:

Me hidhërim të madh familja Hurt vajton vdekjen e William Hurt, babait të dashur dhe aktorit fitues të çmimit Oscar, më 13 mars 2022, një javë para ditëlindjes së tij të 72-të.

Hurt ndërkaq fitoi Oscar për “Aktorin më të mirë” në vitin 1986 për “Kiss of the Spider Woman”, në të cilën ai luajti një burrë homoseksual që ndan një qeli me një të burgosur politik në Brazil. Ai mori nominime të mëtejshme për Oscar për “Aktorin më të mirë” për” Children of a Lesser God” dhe “Broadcast News” dhe për “Aktorin më të mirë joprotagonist” për “A History of Violence”.

Kohët e fundit, Hurt u bë i njohur për një brez të ri të adhuruesve të filmit me portretizimin e tij të gjeneralit Thaddeus Ross në “The Incredible Hulk” në vitin 2008. Më vonë ai ripërsëriti rolin në “Captain America: Civil War” dhe “Avengers: Infinity War”, “Avengers: Endgame” dhe “Black Widow”.

Hurt lindi më 20 mars 1950 në Uashington. Nëna e tij, Claire Isabel, punonte në Time Inc dhe babai i tij Alfred Hurt ishte një burokrat karriere, duke punuar për Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Departamenti i Shtetit. Prindërit e tij u ndanë kur ai ishte 6 vjeç. Hurt ishte i martuar me aktoren Mary Beth Hurt nga 1971 deri në 1982 dhe më pas u martua me Heidi Henderson nga 1989 deri në 1991.