Artisti legjendar i postereve të filmave, Drew Struzan, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga vëllai i tij, Greg Struzan, përmes një postimi në Instagram, ku shkroi se Drew “u largua nga kjo botë më 13 tetor” dhe se “ishte gjithmonë i lumtur kur dinte sa shumë njerëz e vlerësonin artin e tij”. Struzan është autori i disa prej postereve më ikonike të historisë së kinemasë, përfshirë ato të “Harry Potter”, “Back to the Future”, “Star Wars: The Empire Strikes Back”, “The Goonies”, “The Shawshank Redemption” dhe “The Thing”.
Ai punonte çdo poster me dorë duke filluar me vizatime me laps dhe më pas duke shtuar shtresa me brushë, bojëra akrilike dhe lapsa me ngjyra. Regjisori Steven Spielberg e kishte përshkruar Struzan si “artistin e tij të preferuar të filmave”, duke thënë se shpesh ndiente presion që filmat e tij të ishin në nivelin e artit që Struzan krijonte.
Para se të bëhej i famshëm për postere filmash, Struzan kishte dizajnuar kopertina albumesh muzikorë për emra të mëdhenj si The Beach Boys, Bee Gees, Earth, Wind & Fire, Liberace, Black Sabbath dhe Alice Cooper. Në vitet e fundit, bashkëshortja e tij kishte zbuluar se ai po luftonte me probleme të rënda shëndetësore. I ndjeri la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme arti, një “letrë dashurie për botën” përmes veprave që i dhanë ngjyrë dhe magji kinemasë.