Health & Beauty

Shumë shpresë për trajtimin e Alzheimerit, sytë te terapitë e kombinuara!

Teste diagnostikuese dhe terapi të reja, me antitrupa monoklonale duket se po hapin rrugët për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit. Me tre artikuj shkencorë të botuar në “The Lancet”, një grup ekspertësh paralajmëron se potenciali i madh i tyre mund të shfrytëzohet plotësisht. Por kjo, vetëm nëse të gjitha mjetet diagnostikuese e terapeutike të disponueshme e të konsoliduara gjatë viteve të kërkimit, vazhdojnë të përdoren në mënyrën e duhur.

Pro dhe kundër të barnave

Në veçanti, dy antitrupa monoklonale, lecanemab e donanemab, sjellin entuziazëm të madh për të modifikuar rrjedhën e sëmundjes. Por, janë në qendër të debatit për shkak të çmimit të lartë, efekteve anësore që mund të shkaktojnë e faktit se aktualisht vetëm një përqindje e vogël e pacientëve kualifikohet për trajtim.

Me këtë seri artikujsh, ne jemi përpjekur ta normalizojmë debatin. Këta dy antitrupa monoklonalë u zhvilluan sipas standardeve të të gjithë antitrupave monoklonalë për të tjera sëmundje kronike. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë. Ajo që e bën diskutimin disi të ndryshëm janë dimensionet sociale të sëmundjes, shpjegon për Salute Giovanni Frisoni, i cili koordinoi studimin.

Cilat janë mundësitë e reja terapeutike?

Alzheimeri është forma më e zakonshme e demencës dhe vlerësohet se kontribuon në 60-70% të numrit të përgjithshëm të rasteve, i cili tejkalon 50 milion në të gjithë botën.

Nuk është çudi, pra, që ka pasur një rritje të entuziazmit për ardhjen e barnave që ekspertët i quajnë modifikuese të sëmundjes, pikërisht sepse ato mund ta ngadalësojnë sëmundjen dhe ndoshta ta stabilizojnë përkohësisht atë, megjithëse nuk e ndalojnë plotësisht përparimin e saj.

Po flasim për lecanemabin dhe donanemabin, dy antitrupa monoklonalë të projektuar për të zvogëluar akumulimin e proteinës beta-amiloide, e cila duket të jetë një nga shkaktarët e sëmundjes së Alzheimerit.

Vlerësimi i efekteve anësore

Siç pritej, përveç efekteve pozitive në përparimin e sëmundjes, një përqindje e caktuar e pjesëmarrësve në provat klinike përjetuan efekte anësore serioze, të tilla si edemë cerebrale ose hemorragji.

Autorët e serisë së re, pra, u përpoqën të krahasonin kostot (si në përgjithësi ashtu edhe në mënyrë të ngushtë) dhe përfitimet e dy antitrupave të rinj monoklonalë me ato të barnave të tjera biologjike të zhvilluara për trajtimin e llojeve të caktuara të kancerit, sklerozës multiple ose artritit reumatoid.

Edhe pse krahasimi duhet të merret me kujdesin e duhur, duke pasur parasysh se patologjitë dhe pacientët e përfshirë janë qartësisht të ndryshëm, ajo që del në pah është se, për shembull, lecanemabi dhe donanemabi çojnë në një ulje të përparimit të paaftësisë për shkak të sëmundjes së Alzheimerit, të krahasueshme me atë të gjetur në studime të tjera të përqendruara në antitrupat monoklonalë për trajtimin e sklerozës multiple dhe artritit reumatoid.