Alzheimeri mbetet një nga sëmundjet më të rënda neurodegjenerative, e cila me kalimin e kohës i rrëmben kujtesën njeriut në mënyrë të pakthyeshme. Edhe pse trajtimet ekzistuese kanë treguar se mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, asnjëra prej tyre nuk ka arritur të rivendosë kujtimet e humbura.
Një studim i ri i publikuar në “The Journal of Clinical Investigation” nga shkencëtarët e Institutit Buck për Plakjen sjell një perspektivë të re shprese.
Në vend që të fokusohen vetëm te reduktimi i proteinave toksike si tau dhe beta-amiloide, studiuesit janë përqendruar tek riparimi i dëmeve të shkaktuara në tru dhe rikthimi i funksionit të kujtesës.
Në qendër të zbulimit qëndron proteina KIBRA, e cila gjendet si në veshka, ashtu edhe në tru, dhe luan rol kyç në sinapse – lidhjet mes neuroneve që mundësojnë formimin dhe rikthimin e kujtimeve.
Studiuesit zbuluan se truri i pacientëve me Alzheimer ka mungesë të theksuar të kësaj proteine, gjë që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sinapseve.
Ne nuk po mundohemi vetëm të reduktojmë proteinat toksike, por të rikthejmë funksionin e humbur të trurit duke riparuar sinapset
-tha autorja kryesore e studimit, Tara Tracy, PhD.
Rezultatet treguan gjithashtu se tek pacientët me Alzheimer nivelet e KIBRA-s janë më të larta në lëngun cerebrospinal, ndërsa shumë më të ulëta në tru, duke sugjeruar një lidhje të ndërlikuar mes saj dhe proteinës tau.
Për të testuar potencialin e saj, studiuesit krijuan një version të shkurtuar por funksional të KIBRA-s dhe e aplikuan tek minjtë që imitonin simptomat e sëmundjes. Testet treguan se kjo ndërhyrje mund të përmbysë rënien e kujtesës dhe të shpëtojë mekanizmat që ruajnë rezistencën sinaptike.
Kjo e bën KIBRA-n një kandidat të mundshëm si biomarkues i ri për diagnostikim dhe monitorim të sëmundjes, por edhe si bazë për një terapi inovative.
Zvogëlimi i proteinave toksike është i rëndësishëm, por riparimi i sinapseve është po aq kritik për të përmirësuar funksionin e trurit
-shtoi Tracy, duke theksuar se aty mund të qëndrojë çelësi për një trajtim më efektiv të Alzheimerit në të ardhmen.