E ftuar në emisionin “Back to the Beginning” ka qenë Laura Lila. Një vajzë mjaft e talentuar, pianiste e cila ka arritur shumë gjëra në jetën e saj. Në këtë intervistë të veçantë me Kozeta Kurtin ajo ka rrëfyer gjithçka…
Si ka nisur pasioni i saj për pianon?
E kam nisur këtë rrugëtim në mënyrë të çuditshme, kam qenë shumë e vogël dhe mbaj mend në kujtimet e mia disa momente që pranë shtëpisë së gjyshes sime ishte një butik, një lokal ku në hyrje kishte një piano. Kisha gjthmonë qejf që të ikja dhe ta prekja. Mund të kem qenë tre ose katër vjeç por kam thjesht një imazh të asaj pianos. Vite më vonë xhaxhai im që gjithashtu është muzikant, më dëgjoi dhe thotë ‘Kjo vajzë ka vesh muzike, ta çojmë në Lice ta provojmë’. Unë kur shkova atje doja atë pianon.
Si e kishte projektuar Laura veten e saj në të ardhmen në raport me pianon?
E vërteta është që unë e kam projektuar të ardhmen time dhe jetën time në mendjen time që shumë e vogël. Unë këtë rrugëtim që kam pasur plus minus me disa gjëra të vogla që ndoshta nuk janë realizuar tamam si në kokën time por i ka realizuar çuditërisht. I kam dashur dhe i kam bërë. Realisht, ëndrra ka qenë skenat e mëdha me orkestër siç shohim pianistët botëror sot në YouTube ose në koncerte jashtë. Ëndrra gjithmonë ajo ka qenë por jo për famën që të njihem në të gjithë botën. Thjesht që sa më shumë njerëz të më dëgjojnë mua, jo për t’u bërë unë e famshme. Thjesht të kem unë shansin që të shkoj unë tek sa më shumë persona.
Prurjen e studentëve të rinj në Lice, Laura e shikon se ka po të njëjtin pasion dhe përkushtim siç ka qenë më parë dhe po me të njëjtin filtër?
Unë mendoj që qëllimi i shkollës qoftë i Liceut por edhe i Akademisë është për t’ia kthyer këtë lavdinë që ka pasur. Unë besoj shumë fort që ne kemi profesorë shumë të mirë por gjithashtu edhe talente. Por tregu i punës për artistët e rinj është shumë i vogël dhe shumë i pakët dhe në botën e 2o25 ku çdo gjë bëhet shumë shpejt të rinjtë e humbasin interesin dhe ky është një profesion që do shumë vullnet dhe shumë durim. Ju shikoni vetëm 10 minuta, një orë koncert por puna e madhe që është bërë para atij koncerti është e papagueshme. Studentët e sotëm për mendimin tim nuk është se nuk janë talente ose nuk kanë talente mendoj që rrugës duke parë botën e vështirë të artit iu humbet interesi.
Laura ka zbuluar në Top Albania Radio se shumë shpejt ajo do të realizojë një koncert në Spanjë.