Lifestyle

Si të kujdeseni për trupin, shtëpinë e shpirtit tuaj?

Në një kohë kur rrjetet sociale diktojnë bukurinë me filtra dhe përmasa perfekte, është e lehtë të harrosh një të vërtetë të thjeshtë: trupi yt nuk është një projekt që duhet “rregulluar”, ai është shtëpia jote. Një vend ku jeton shpirti yt, emocionet e tua, forca dhe dobësia, dhimbjet dhe gëzimet.

Të ndihesh rehat në trupin tënd është revolucionar. Kur një grua vendos të ndalojë së luftuari me kilogramët, strijat, rrudhat apo celulitin, ajo fiton një liri që nuk blihet me asnjë krem apo dietë. Ky është momenti kur ndalesh dhe i thua vetes:

Unë jam e mjaftueshme.

Shumë prej nesh janë rritur me idenë se duhet të “arrijmë” një trup të caktuar për të qenë të denja për dashuri, për punë, për respekt. Por e vërteta është ndryshe: nuk ka asnjë trup të “gabuar”. Ka vetëm trupa të ndryshëm, dhe të gjithë meritojnë kujdes, ndjeshmëri dhe respekt.

Kujdesi për trupin nuk ka të bëjë me ndëshkim, por me dashuri. Nuk është të vraposh sepse e urren trupin tënd, por sepse e do atë dhe dëshiron të jetë i fortë. Nuk është të hash sallatë sepse “duhet”, por sepse e ndjen që të bën mirë.

Kur fillon ta trajtosh trupin tënd si një mik të çmuar e jo si një armik që duhet ndryshuar, çdo gjë ndryshon. Veshjet që dikur të turpëronin, tashmë i vesh me krenari. Ujërat që i shmangje në plazh, i noton me siguri. Dhe pasqyra bëhet një vend neutral, jo një gjyq pa fund. Trupi yt është tashmë mjaftueshëm. Jo kur të humbasësh peshë, jo kur të arrish një formë të caktuar. Por tani. Sot.