Me afrimin e ditëve më të shkurtra dhe rënien graduale të temperaturave, kujdesi për bimët në ballkon, tarracë apo oborr bëhet i domosdoshëm.
Ekspertët theksojnë se nuk duhet t’i mbështetemi vetëm kalendarit, por kushteve të motit, veçanërisht temperaturave të natës, për të vendosur se kur është koha e duhur për t’i futur bimët në ambiente të mbyllura.
Bimët që duhen futur menjëherë:
Bimët tropikale me gjelbërim të përhershëm, si fikusi, orkidetë dhe begoniet, nuk e përballojnë natën e ftohtë nën 12°C. Të njëjtën kujdes kërkojnë edhe agrumet si limoni dhe portokalli, të cilat duhen futur para ngricës së parë për të shmangur dëmtimet. Edhe lulet e ndjeshme, si surfinia, duhet të mbrohen sa më parë.
Bimët që mund të qëndrojnë jashtë edhe pak:
Disa bimë, si livanda, mund të përballojnë temperatura deri në 8–10°C, por duhet të mbrohen nga ngricat. Shkurret dekorative si shimshiri, tujat apo rozmarina mund të dimërojnë jashtë, nëse vendosen në një vend të mbrojtur dhe mbulohen me material të lehtë për t’i mbrojtur nga era.
Këshilla për përgatitjen e bimëve
-Pastroni gjethet e thara ose të dëmtuara dhe kontrolloni për parazitë.
-Transplantoni në vazo më të mëdha nëse është e nevojshme.
-Ulni sasinë e ujit, pasi gjatë dimrit rritja është më e ngadaltë.
-Vendosini pranë dritareve për të marrë sa më shumë dritë natyrale.
Kur është momenti i duhur?
Sipas ekspertëve, bimët e brendshme duhet të futen në shtëpi rreth 50 ditë para ngricës së parë ose kur temperaturat e natës zbresin rreth 10°C. Ky hap është jetik për bimët me origjinë tropikale, të cilat nuk e përballojnë dot të ftohtin e ashpër.
Duke ndjekur këto hapa, bimët tuaja do të mbeten të shëndetshme edhe gjatë muajve të ftohtë të dimrit.