Një djalë 18-vjeçar nga India, Lalit Patidar, është shpallur mbajtësi i Rekordit Botëror Guinness për fytyrën më të leshatuar, pasi u vërtetua se ai kishte 201.72 qime për centimetër katror lëkure.
Patidar ka jetuar me një gjendje të rrallë të rritjes së flokëve, e njohur si hipertrikoza ose “sindromi i ujkut”, një sëmundje që prek vetëm një në miliardë njerëz dhe ka vetëm rreth 50 raste të dokumentuara që nga Mesjeta.
Ai ka flokë në më shumë se 90% të fytyrës së tij dhe ka qenë kështu që kur ishte fëmijë. Patidar ka treguar se fëmijët e tjerë në shkollë ishin të frikësuar prej tij në fillim, por pasi e njohën, ata kuptuan se nuk ishte kaq i ndryshëm nga ata.
Ai tha se ka marrë komente që sugjerojnë të heqë flokët nga fytyra, por ai ka shprehur se e pëlqen ashtu si është dhe nuk dëshiron të ndryshojë pamjen e tij.
Lalit Patidar, i cili dokumenton jetën e tij të përditshme në YouTube, shprehu krenarinë e tij për të fituar këtë rekord botëror dhe tha se është shumë i lumtur për njohjen që mori.