Aktualitet

Situata e Covid-19 në vende të tjera të botës

Në nivel global, janë rreth 3 milionë rastet me koronavirus e më shumë se 206 mijë viktima, sipas të dhënave më të fundit të universitetit amerikan “Johns Hopkins”. Amerika mbetet vendi më i goditur me shifrat më të larta të infektimeve, rreth 1 milion e të personave që humbën jetën, afro 55 mijë, 1 mijë e 330 prej tyre në 24 orët e fundit.

Në Norvegji, ku vala e koronavirusit të ri është në rënie u rihapën shkollat fillore, ndërsa nga java e kaluar në vendin nordik funksionojnë kopshtet e çerdhet. Tashmë, bankave iu rikthyen fëmijët e moshave 6 deri 10-vjeç, në klasa me jo më shumë se 15 nxënës. Norvegjia vazhdon të heqë gradualisht kufizimet e njoftuara më12 Mars për frenimin e pandemisë. Gjithashtu, parukeritë e dermatologët u autorizuan të rifillojnë aktivitetet. Ndërkaq, vijojnë të ndalohen grumbullimet sportive e kulturore, ndërsa kërkohet të respektohen udhëzimet për distancimin social.

Në Europë, Zvicra rihapi disa biznese, përfshirë parukeritë, sallonet e thonjve, dyqanet e pajisjeve dhe qendrat e kopshteve. Por duhet të sigurojnë që klientët të mbajnë distancën. Në dallim nga vendet fqinje, në Zvicër nuk ka detyrim për përdorimin e maskave në publik. Shkollat dhe dyqanet e tjera do të rihapen brenda dy javësh. Nëse numri i rasteve me COVID-19  nuk rritet ndjeshëm, shkollat profesionale e universitetet, si dhe muzetë, bibliotekat e kopshtet zo’ologjike do të lejohen të rihapen nga 8 qershori.