“Lufta” e këngëtares së njohur Britney Spears për të hequr kujdestarinë e babait të saj, Jamie Spears duket se ka pësuar një pengesë pasi gjykatësi mohoi kërkesën e avokatit të yllit të popit për një seancë historike dëgjimore. Gjyqtarja Superiore e Los Angeles-it, Brenda Penny hodhi poshtë të hënën peticionin për të çuar përpara seancën e paraqitur javën e kaluar nga avokati i ri i Spears, Mathew Rosengart.
Duke ngritur pyetje në lidhje me marrëdhëniet financiare të Jamie kur bëhet fjalë për pasurinë e vajzës së tij, Rosengart i kërkoi gjykatës që të caktojë seancën e kujdestarisë sa më shpejt të jetë e mundur ose të pezullojë kompetencat e kujdestarisë derisa të mbahet seanca. Seanca e radhës do të mbahet më 29 shtator në Los Angeles siç ishte planifikuar më parë.
Jamie, nga ana tjetër ka pretenduar se ka marrë një telefonatë më 9 korrik nga kujdestarja personale e përkohshme e Britney-t, Jodi Montgomery, duke pretenduar se ajo ishte e shqetësuar për shëndetin mendor të këngëtares dhe kishte marrë parasysh një shtrim në spital psikiatrik të pavullnetshëm.
Avokati i Montgomery e mohoi natyrën e bisedës në një deklaratë përmes avokatit të saj, duke thënë se ndërsa ajo kishte shqetësime për shëndetin e përgjithshëm mendor të Britney-t, Jamie keqinterpretoi atë që ajo tha. Rosengart gjithashtu iu drejtua shëndetit mendor të Britney-t në paraqitjen e tij të fundit, duke thënë se:
Megjithëse një pritje dy-mujore për një seancë mbi peticionin mund të mos duket e rëndësishme në kontekstin e 13 viteve, zonja Spears nuk duhet të detyrohet të vazhdojë të ndihet e traumatizuar, të humbasë gjumin dhe të vuajë më tej.
Britney gjithashtu ka folur publikisht në gjykatë për dëshirën për të hequr babain nga kujdestaria, duke thënë se ai duhet të jetë në burg për mënyrën se si kishte përfituar prej saj gjatë viteve. Të enjten, ajo bëri një postim në Instagram duke thënë:
Unë jam e sigurt se shumë prej jush po pyesin se si jam, dhe ju e dini situatën time … gjërat janë shumë më mirë sesa kam imagjinuar.
Rikujtojmë, se 39-vjeçarja i ka shqetësuar së fundmi fansat me disa postime në rrjetin e saj social, Instagram. Ajo ka pozuar ‘topless’ dhe ndërsa disa ndjekës e kanë komentuar këtë veprim si një ndjenjë lirie disa të tjerë janë të shqetësuar për shëndetin mendor të artistes.