Bota Celebrities

Skandali Epstein, Britania intensifikon hetimet ndaj Andrew Mountbatten-Windsor!

Policia britanike ka ripërtërirë thirrjen për qytetarët që të japin informacione lidhur me hetimet ndaj Andrew Mountbatten-Windsor, vëllait më të vogël të Mbretit Charles III, pas publikimit të dosjeve të reja që lidhen me financierin e ndjerë dhe shkelësin seksual Jeffrey Epstein.

Policia e Luginës së Thames njoftoi se po heton “një numër aspektesh të sjelljes së dyshuar të pahijshme”, ndërsa hetuesit janë duke biseduar me disa dëshmitarë dhe po analizojnë materiale të reja të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Sipas policisë, përveç akuzave për sjellje të pahijshme, po shqyrtohen edhe raportime sipas të cilave një grua ishte dërguar në një adresë në Windsor në vitin 2010 “për qëllime seksuale”.

Autoritetet thanë se kanë kontaktuar përfaqësuesit ligjorë të gruas dhe se çdo bashkëpunim do të trajtohet me kujdes dhe ndjeshmëri.

Ne e kuptojmë sa e vështirë mund të jetë të flasësh për përvoja të kësaj natyre dhe çdo kontakt me policinë do të udhëhiqet nga dëshirat e saj.

Ndihmësshefi i policisë, Oliver Wright, deklaroi se hetimi pritet të jetë kompleks për shkak të sasisë së madhe të informacionit që po analizohet. Ai theksoi se autoritetet janë të përkushtuara për të ndjekur çdo pistë të mundshme hetimi dhe u bëri thirrje personave që disponojnë informacione të kontaktojnë policinë.

Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Princi Andrew dhe Duka i Jorkut, u arrestua më 19 shkurt nën dyshimet për sjellje të pahijshme në detyrë publike, pas zbulimeve mbi lidhjet e tij me Jeffrey Epstein. 66-vjeçari nuk është ngritur në akuzë dhe mohon çdo keqbërje, duke insistuar se nuk ka qenë dëshmitar apo pjesë e aktiviteteve kriminale të Epstein.

Përditësimi i fundit nga policia vjen vetëm një ditë pasi qeveria britanike publikoi dokumente që tregojnë se nuk kishte prova që Mountbatten-Windsor ishte verifikuar para emërimit të tij si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2001.

Ai dha dorëheqjen nga ky rol një dekadë më vonë, pas polemikave të forta mbi lidhjet e tij me Epstein, i cili ishte dënuar në vitin 2008 për nxitje prostitucioni të një të miture.

Në kuadër të hetimeve, policia kontrolloi edhe pronat e tij në Sandringham e Royal Lodge në Berkshire. Më vonë ai u lirua “nën hetim”, ndërsa procedurat vazhdojnë.

Skandali ka tronditur familjen mbretërore britanike, ndërsa vitin e kaluar Mountbatten-Windsor u privua nga titujt e tij mbretërorë, në një përpjekje të Mbretit Charles III për të distancuar monarkinë nga polemikat e shumta që lidhen me emrin e tij.