Bota

Skandali i korrupsionit, lirohet Federica Mogherini!

Pas marrjes në pyetje nga Policia Federale e Flandrës Perëndimore në Belgjikë, u liruan gjatë natës Federica Mogherini, Stefano Sannino e Cesare Zegretti, të përfshirë në skandalin e dyshuar lidhur me financimin e diplomatëve të rinj europianë.

Kjo u njoftua nga Zyra e Prokurorit Publik të BE-së, që po drejton hetimin. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim e korrupsion në prokurim, si edhe konflikt interesi e shkelje sekreti profesional, por të tre u liruan sepse “nuk u konsideruan në rrezik arratisjeje”.

Ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe Rektorja aktuale e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, është midis të ndaluarve në hetimin që dje u shoqërua me kontrolle të kryera në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) dhe Kolegjin e Evropës në Bruge, si pjesë e një hetimi për mashtrim në përdorimin e fondeve të BE-së.

U arrestuan edhe një anëtar i Kolegjit të Evropës e ish-Sekretari i Përgjithshëm i EEAS (2021-2025), diplomati italian, Stefano Sannino.

Dyshime për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë

Hetimi ka të bëjë me dyshimet për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë në ofrimin nga EEAS të një programi trajnimi nëntëmujor për diplomatët e ardhshëm evropianë në Kolegjin e Evropës. Rastet e dyshuara datojnë që nga periudha 2021-2022. Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian, me gjasa përfshijnë “mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi e shkelje sekreti profesional”.

Kolegji i Evropës: “Do të bashkëpunojmë plotësisht me hetimin”

Kolegji i Evropës u informua lidhur me veprimet hetimore të ndërmarra nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian për kampusin tonë në Bruges. Do të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet, në interes të transparencës dhe respektit për procesin hetimor. Kolegji mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit, drejtësisë e pajtueshmërisë, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë administrativ e po merr masat e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e aktiviteteve të tij.

“BE-ja preferon të injorojë problemet e veta të korrupsionit dhe vazhdimisht u jep mësime të tjerëve”. Kështu u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, në lidhje me hetimin që çoi në arrestimin e Federica Mogherinit. Zakharova pretendoi se miliona euro rrjedhin përmes “kanaleve të korrupsionit” në BE drejt Kievit dhe shtoi se kjo “ka ndodhur prej vitesh e është e qartë për të gjithë”.