Policia belge sot bastisi shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel së bashku me Kolegjin e Evropës në Bryzh, si dhe shtëpi private, si pjesë e një hetimi mbi keqpërdorimin e dyshuar të fondeve të BE-së. Euroactiv raporton duke iu referuar njerëzve të njohur me hetimin dhe dëshmitarëve, se bastisje u zhvilluan në të gjithë Belgjikën në orët e para të mëngjesit.
Policia sekuestroi dokumente dhe arrestoi tre persona për t’i marrë në pyetje nën dyshimin për mashtrim me prokurimin, korrupsion dhe konflikt interesi kriminal. Sipas mediave ndërkombëtare në mesin e të arrestuarve është edhe rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, e cila ka qenë shefe e diplomacisë europiane.
Oficerë të veshur me rroba civile raportohet se hynë në selinë e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) në orën 07:30 të mëngjesit të së martës, siç vuri në dukje një dëshmitar okular. Një zyrtar tjetër i BE-së nga shërbimi diplomatik i BE-së konfirmoi kontrollet.
Hetimi penal filloi pas akuzave se EEAS dhe Kolegji i Evropës, shkolla prestigjioze e trajnimit pasuniversitar për eurokratët, keqpërdorën paratë publike të BE-së në vitet 2021 e 2022, referuar katër personave me njohuri për hetimin.
Bastisjet janë skandali i fundit i madh që godet institucionet e BE-së dhe do të shtojnë presionin mbi Kolegjin e Evropës dhe rektoren e tij, Federica Mogherini, e cila dikur drejtonte EEAS-in dhe filloi një mandat të dytë pesëvjeçar në Bryzh këtë vit.