Bota

Sondazhet në Gjermani, reagon Scholz: Duhet të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet!

Kancelari gjerman Olaf Scholz, kreu i Social Demokratëve (SPD), thotë se rezultatet e zgjedhjeve janë “të hidhura” për partinë e tij, duke i quajtur ato një “humbje”.

Exit poll-et treguan se SPD ishte në vendin e tretë, me 16-16.5% të votave. Duke folur me mbështetësit në Berlin, Scholz thotë se është një moment “në të cilin ne duhet të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet”.

Në zgjedhjet e mëparshme, thotë ai, partia kishte një rezultat “më të mirë” për të cilin ai ishte “përgjegjës”, duke shtuar se ky rezultat “është më i keq dhe unë jam përgjegjës edhe për këtë”.

Scholz përgëzoi ndërkohë Friedrich Merz, liderin e partisë konservatore Demokristiane, i cili rezulton i pari në sondazhe.

Friedrich Merz dhe Kristian Demokratët e tij kanë një epërsi të padiskutueshme, sipas të dyja sondazheve që kanë dalë pas mbylljes së votimit në Gjermani.

Sipas BBC, ai do të kërkon të formojë një qeveri të re, por nëse vërtetohen këto shifra, nuk është e qartë nëse ai mund të formojë një koalicion vetëm me një parti tjetër, Social Demokratët. Gjithçka mund të varet nëse njëra nga partitë e tjera do të hyjë në parlament apo jo.

Nëse i duhet të gjejë një palë të tretë, mund të marrë kohë, dhe ai është një njeri “që i pëlqen të vrapojë”, shkruan BBC.

Por historia tjetër është se partia kundër imigracionit Alternativa për Gjermaninë (AfD) do të bëhet forca e dytë më e madhe në politikën gjermane. Katër vjet më parë ata morën vetëm 10.4% dhe tani janë në rrugën e duhur për 19.5%-20%, sipas exit polls.

Mesazhi i tyre duket se ka kaluar me miliona gjermanë në perëndim dhe në lindje.

Exit poll-et bazohen në anketat e votuesve që sapo kanë hedhur votën e tyre në qindra qendra votimi përfaqësuese. Ato priren të jenë relativisht të sakta.