Aktualitet Tech

Sondazhi i TAR/Mbyllja e TikTok në Shqipëri, a jeni dakord me rihapjen sërish pas 12 muajsh?

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për mbylljen zyrtarisht të rrjetit social TikTok në të gjithë vendin, për 12 muaj. Në VKM-në e publikuar pak ditë më parë, theksohet se “ndërprerja e platformës on-line TikTok do të zgjasë deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta”.

Vendimi për mbylljen e TikTok-ut u propozua nga kryeministri Edi Rama pas një ngjarjeje tragjike, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Pas kësaj, qeveria zhvilloi konsultime me 65 mijë prindër dhe mësues, duke e argumentuar mbylljen si një masë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dhunshme dhe rreziqet online.

Rihapja e mundshme e TikTok-ut do të varet nga angazhimi i kompanisë për të vendosur filtra dhe masa mbrojtëse që do të kufizojnë përmbajtjet e dëmshme për të rinjtë. Lidhur me këtë, në faqen tonë të Web-it, ne ngritëm një sondazh ku pyetëm qytetarët nëse janë dakord me rihapjen e kësaj platforme apo jo: “Mbyllja e TikTok në Shqipëri, a jeni dakord me rihapjen sërish pas 12 muajsh?” Përgjigjet ishin: 56% për t’u mbyllur përfundimisht dhe 44% mendonin se TikTok duhet të rihapet sërish.

Ndërkohë sondazhi i ri në TAR ngre pyetjen: “Cili nga banorët mendoni se do të lërë shtëpinë e “Big Brother VIP 4″?” Votoni në këtë link për të dhënë mendimin tuaj.