Sport

Sonte Inter – Barcelona, Inzaghi: Na duhet ndeshja perfekte/ Flick: Të shijojmë gjysmëfinalen!

Hansi Flick, trajneri i Barcelonës foli në prag të ndeshjes së kthimit gjysmëfinale kundër Interit. Sot në 21:00 në Milano luhet akti i dytë që vendos një biletë për në finalen e Munichut, me përballjen e parë që ishte spektakolare dhe u mbyll 3-3. Te Barça rikthehet nga dëmtimi Lewandowski, që do e fillojë ndeshjen nga stoli.

“Kur filloi sezoni, askush nuk e kishte idenë se çfarë mund të bënim. Deri tani kemi fituar dy trofe dhe po vijnë javët më të rëndësishme. Në këtë nivel është normale që të jetë kështu. Ekipi duhet të arrijë sukseset duke punuar në grup. Dua që të bëjnë klubin dhe tifozët krenarë.

Kemi analizuar gjithçka nga ndeshja e parë. Në goditjet standarde duhet të mbarohemi më mirë. Lewandowski do e nisë ndeshjen nga stoli. Nëse do kemi nevojë për ndihmën e tij, do e aktivizojmë.

Kemi lojtarë të jashtëzakonshëm në ekip dhe Yamal është njëri prej tyre. Ajo që ai bën me topin është e pabesueshme, duke dhënë çdo pasim të saktë. Çdo lojtar përmirësohet pas ndeshjeve që luan. Jemi në gjysmëfinale dhe duhet ta shijojmë këtë. Lojtarët e mi nuk dorëzohen kurrë. Interi ka një skuadër të shkëlqyer dhe disa lojtarë të fortë”, u shpreh Flick.

LEXO EDHE: Sot Interi pret Barcelonën për biletën e finales! Lautaro bashkohet me grupin, rikthehet Lewa

Trajneri i Interit Simone Inzaghi ka thënë se të tijtë duhet të bllokojnë Yamalin dhe të bëjnë ndeshjen perfekte. Kapiteni Lautaro rikthehet me grupin, por gjendja e tij do vlerësohet nga stafi deri para sfidës, paçka se projektohet nga minuta e parë.

“Duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer, kundër një skuadre shumë të fortë që tani e njohim edhe nga afër. Na duhet të jemi të vëmendshëm dhe të kthjellët në fushë.

Për Lautaron dhe Pavard do të vendosim me stafin mjekësor dhe vetë lojtarët. Ata do na tregojnë sesi ndihen. Pavard ndihet mirë, ndërsa për Lautaron na duhet të shohim ende. Në ndeshjen e parë bëmë paraqitje të shkëlqyer, por sigurisht mund të kishim bërë më mirë. Gjithsesi ekipi bëri mirë dhe në takimin e kthimit duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Praktikisht është një finale e parakohshme, sepse barazimi lë gjithçka të hapur.

Grupi është i etur dhe po stërvitet mirë. Në fushë ndaj Barcelonës duhet një Inter i shkëlqyer. Jemi vetëm dy ndeshje larg trofeut të madh. Ndeshje të tilla janë emocionuese. Trofetë shpërblejnë punën e bërë.

Duhet të përpiqemi të mos e lejojmë Yamal që të marrë topin. Është lojtar i veçantë dhe sigurisht që do ketë dyfish në mbulim. Është një talent i jashtëzakonshëm kur ka topin dhe skuadra e kërkon kur është në vështirësi”, u shpreh Inzaghi.