Sport

Presin Bayern Munich në Milano, Inzaghi: Më shumë krenari sesa tension/ Kompany: Sfidë speciale, vendosin detajet

Interi fitoi ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich 1-2 në Gjermani. Sot në orën 21:00 në Milano luhet përballja e kthimit dhe për trajnerin zikaltër, Simone Inzaghi, ekipi i tij nuk duhet të ketë tension, por më shumë krenari për atë që kanë bërë.

‘’Ne e dimë që do të jetë vërtet e vështirë. Duhet të harrojmë rezultatin e ndeshjes së parë, por jo performancën që dhamë në Mynih. Ne patëm një lojë të shkëlqyer, por e dimë që kundërshtarët tanë kanë shumë cilësi. Është një çerekfinale, ndeshja e parë u luajt në Mynih dhe do të kemi ndeshjen e dytë. Djemtë janë pozitivë dhe skuadra e di se ne do të luajmë kundër një skuadre të madhe.

LEXO EDHE: Carlo Ancelotti beson tek përmbysja, sonte akti i dytë i Real Madrid – Arsenal

Nuk ka tension, por më shumë krenari për atë që po bëjmë këtë sezon. Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje të madhe, të cilën duam ta përsërisim në ‘San Siro’, por do të jetë akoma më e vështirë’’, tha Inzaghi.

Për mediet trajneri i Bayern, Vincent Kompany tha se këtë duel do e vendosin detajet.

“Duhet të fillojmë nga supozimi se detajet mund të bëjnë ndryshimin. Ndonjëherë këto janë netë speciale, mund t’i quajmë kështu. Ka disa netë kur nevojitet shumë pak për të vendosur një ndeshje.

Kështu ndodhi në ndeshjen e parë, duhet të kujtojmë shanset që mund të kishim shfrytëzuar dhe të shpresojmë t’i kemi përsëri. Duhet të fitojmë. Ne duam t’u japim tifozëve tanë më shumë kënaqësi.

Çfarë Interi pres? Për këtë duhet të pyesni trajnerin e tyre. Nëse ata vendosin të luajnë lart dhe në sulm, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është cilësia e dy skuadrave, duhet të dini se si të merrni vendimet e duhura në momente të ndryshme të lojës’’, tha Kompany.
Upamecano, Neuer, Musiala, Ito, Davies dhe Buchman mungojnë për Bayern për shkak të dëmtimeve.