Aktualitet

Ceremonia e “Oscars 2026”, shpallen prezantuesit e parë! Kush janë katër yjet e Hollywood-it, fitues të vitit të kaluar

Në skenën e ceremonisë së 98-të të ndarjes së çmimeve Academy Awards do të ngjiten fituesit e vitit të kaluar për Rolet Kryesore, Adrien Brody dhe Mikey Madison, së bashku me fituesit e Roleve Dytësore, Kieran Culkin dhe Zoe Saldana, për të dorëzuar çmimet tek pasardhësit e tyre, sipas njoftimit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave Kinematografike.

Katër aktorët janë prezantuesit e parë të shpallur për ceremoninë e 15 marsit, e cila për herë të dytë do të drejtohet nga Conan O’Brien dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti ABC.

Në edicionin e kaluar, Madison, Culkin dhe Saldana fituan çmimin e tyre të parë Oscar, ndërsa për Brody ishte statuja e dytë për Aktorin më të Mirë, për interpretimin e tij në filmin “The Brutalist”.

Sipas Associated Press, filmi “Sinners” i regjisorit Ryan Coogler kryeson garën e këtij viti, duke bërë histori me 16 nominime.

Të nominuarat për Çmimin e Aktores më të Mirë në Rol Kryesor janë Jessie Buckley për filmin “Hamnet”, Rose Byrne për “If I Had Legs I’d Kick You”, Renate Reinsve për “Sentimental Value”, Emma Stone për “Bugonia” dhe Kate Hudson për “Song Sung Blue”.

Të nominuarit për Çmimin e Aktorit më të Mirë në Rol Kryesor janë Timothée Chalamet për “Marty Supreme”, Leonardo DiCaprio për “One Battle After Another”, Ethan Hawke për “Blue Moon”, Michael B. Jordan për “Sinners” dhe Wagner Moura për “The Secret Agent”.

Në kategoritë e Roleve Dytësore, të nominuar për Aktorin më të Mirë në Rol Dytësor janë Jacob Elordi për “Frankenstein”, Sean Penn dhe Benicio del Toro për “One Battle After Another”, Stellan Skarsgård për “Sentimental Value” dhe Delroy Lindo për “Sinners”.

Të nominuarat për Çmimin e Aktores më të Mirë në Rol Dytësor janë Elle Fanning dhe Inga Ibsdotter Lilleaas për “Sentimental Value”, Amy Madigan për” Weapons”, Wunmi Mosaku për”Sinners” dhe Teyana Taylor për “One Battle After Another’.

Votimi final për çmimet Academy Awards do të zhvillohet nga 26 shkurti deri më 5 mars.